Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi sot koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, duke hequr prej tij Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha simbolet e PD nuk mund të pranohen në koalicion pasi cënohet interesi i Partisë Demokratike.

Ndërsa komentonte vendimet e marra sot nga KQZ, ish-sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata u shpreh në “Radari Informativ” në ABC se bëhet fjalë për formalitete që nuk ndryshojnë asgjë në mënyrën sesi do të organizohet gara.

Për Komisionin e Rithemelimit rëndësi ka që koalicioni “Shtëpia e Lirisë” mes LSI-së dhe PDK-së garon me gjashtë kandidatët e tyre për kryetarë bashkie. Gjata tha se askush nuk i ndalon dot që ndërsa kandidatët bëjnë fushatë të pranishëm të jenë mijëra flamurë e logo të PD-së.

“Do ketë mijëra flamurë të PD aty, le të shkojnë e të ankohen….çfarë do u bësh mijëra demokratëve aty?”

Ndërsa tha se kryedemokrati Lulzim Basha është në pikë të hallit, Çlirim Gjata u shpreh i bindur se “Rithemelimi” do të dalë fitues në të gjashta bashkitë.

“Pika e tij me ardh dita që PD me e mund LSI-ja, që ka që nga 2005 e këtej që është e treta. Për të 6 bashkitë i kanë mundësitë, Dibra, Shkodra, Vora janë bastione. Durrësin, nga 2007 e këtej e ka qeverisur Rama me grupe kriminale. Do t’i përdorë prapë. Synohet t’i fitojmë të 6.”

Ish-sekretari ligjor i PD-së e hodhi poshtë mundësinë e krijimit të një partie të re nga grupi i Berishës. Sipas tij, PD po rithemelohet, po ngrihet nga hiri.

“Harrojeni të krijojmë parti të re. PD është dhe do të ngrihet.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re