Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ia ka dhënë mandatin e deputetit të Arben Ahmetajt, anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Plarent Ndreca.

“Vendos dhënien e mandatit të deputetit të Republikës së Shqipërisë, kandidatit të radhës të listës shume emërore të Partisë Socialiste, për zonën zgjedhore qarku Tiranë, Plarent Ndrecës.

Kundër këtij vendimi ankimimi mund të bëhet në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 30 ditëve nga shpallja e vendimit. Ky vendim hy në fuqi menjëherë dhe botohet në fletoren zyrtare”, u shpreh kreu i KQZ-së, Ilir Celibashi.

Vendimi u mor pasi drejtoresha e Kadastrës, Dallëndyshe Bici refuzoi të zërë vendin e Ahmetajt në Parlament. Ndërsa Plarent Ndreca pranoi mandatin e deputetit, pas shpalljes së vakancës nga ana e Kuvendit për shkak të përfundimit të mandatit të ish-zv.kryeministrit para afatit kushtetues pasi ndodhet prej 6 muajsh në arrati.

Plarent Ndreca do të ulet në karrigen e deputetit nën siglën e PS-së në Kuvend, ndërkohë që do të duhet të respektohen dhe procedurat siç e përcakton ligji, deri në betimin e tij.

Ndërkohë Bici refuzoi mandatin duke mbajtur postin aktual të drejtoreshës së Kadastrës dhe njoftoi KQZ me anë të një shkrese më 11 Janar.

“Me shkresën nr. 43/1 prot., date 9.1.2024 me lëndë “Njoftim për dorëzim dokumentacioni”, për të cilën kam marrë dijeni në datë 10.1.2024, jam njoftuar për depozitimin e formularit të vetëdeklarimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nga sa më sipër, ju bëj me dije se nuk do të vijoj procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të angazhimit tim në detyrën funksionale që ushtroj aktualisht në institucion qëndror”, shkuan ajo në shkresën depozituar KQZ.

Kuvendi i Shqipërisë me anë të një shkrese zyrtare ka njoftuar më 10 Janar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përfundimin e mandatit të ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj.

Socialisti prej rreth 6 muajsh është në arrati dhe ndaj tij po zhvillohen një sërë hetimesh që lidhen me aferën e inceneratorëve.

Në letrën e firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjoncaj theksohet se “Ju njofton mbarimin përpara afatit kushtetues të mandatit të deputetit të PS-së Arben Ahmetaj, për shkak të mungesës së tij pa arsye për mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Kjo për arsye se seanca e fundit plenare ku deputeti Arben Ahmetaj ka marrë pjesë është data 6 korrik 2023”.

Mbi Arben Ahmetajn rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me skandalin e inceneratorëve.

Në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe fshehje të produkteve të veprës pendale, Arben Ahmetaj, zhvishet edhe nga detyra e fundit, e deputetit të partisë socialiste.

Mandati i tij quhet i përfunduar pasi për 6 muaj rresht ish numri dy i qeverisë mungoi pa arsye në kuvend. Ky parashikim në kushtetutë i jep të drejtë kryeparlamentares Lindita Nikolla, që në nisje të parlamentit të bëjë me dije përfundimin e mandatit dhe të vë në dijeni Komisionin Qendror të zgjedhjeve për zëvendësimin e Arben Ahmetaj.

Sipas rezultateve të dala nga vota e parlamentareve të 2021-it, mandatin e deputetit duhet ta merrte Dallëndryshe Bici, e cila prej 11 muajsh ndodhet në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të dokumenteve të pronësisë.

Por duke qenë se Bici e refuzoi mandatin, në karrigen e deputetit do të ulet juristi dhe anëtari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Plarent Ndreca. Për nga sasia e votave të marra ai renditet pas Dallëndyshe Bicit.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re