Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bledar Skënderi i është përgjigjur akuzave të sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi i cili një ditë më parë deklaroi se me urdhër të kryeministrit Edi Rama, votimi në Bashkinë e Vaut të Dejës është bërë në fleta të falsifikuara pasi fletët e votimit nuk u zëvendësuan.

Skënderi përgënjeshtron akuzat e numrit dy të PD-së duke konfirmuar se fletët e votimit u zëvendësuan nga materialet zgjedhore të prodhuara në Slloveni, ashtu sikurse qe njoftuar pak ditë pas ngjarjes që ndodhi në KZAZ e stacionuar në shkollën Shejnaze Juka pas sulmit nga militantët e PD të cilët i vunë flakën materialeve zgjedhore.

Skënderi bën publike edhe dokumentet që e vërtetojnë këtë fakt. Ai deklaron se fletët e votimit janë sjellë në Shqipëri në datë 29 qershor, pra një ditë para zgjedhjeve dhe shpërndarja e tyre ka përfunduar pas nisjes së procesit të votimit.

Ja ç’shkruan në facebook, anëtari i KQZ:

“Në përgjigje të nje akuze publike të Z.Gazmend Bardhi. Më poshtë po ju paraqes disa dokumenta që vërtetojnë se fletët e votimit për Bashkinë Vau i Dejës janë prodhuar në Slloveni.

Pas djegies së KZAZ në dt 27.06.2019 është kontaktuar direkt me kompaninë sllovene. Fletët e votimit janë prodhuar paraditen e dt.28.06.2019. Dok 1 dhe 2 ne foto  Transporti është kryer ne dt 29.06.2019. Fletët e votimit kanë kaluar pikën e kalimit kufitar rreth orës 1-1.30 të mëngjesit të dt 30 qershor Punonjësit tanë kanë pritur dhe dorëzuar fletët në KZAZ.

Shpërndarja e gjithë bazës materiale për KQV ka mbaruar para orës 6. Të gjitha Qendrat e votimit kanë qenë të hapura në orën 7.00 sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor! Nesër do publikojmē dhe vërtetimin nga sistemi TIMS se kur ka kaluar makina në PKK Hani i Hotit”, shkruan Skënderi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re