Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar punën për të bërë të mundur zëvendësimin e deputetëve të opozitës së bashkuar që hoqën dorë nga mandatet në bllok.

 

Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj është shprehur se pas një mbledhje ku do të legjitimohen dorëheqjet, menjëherë do të kontaktohen kandidatët e listave respektive të partive, në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. KQZ thotë se kandidatët kanë 10 ditë kohë për të plotësuar formularët e vetëdeklarimit.

 

“Duke marrë shkas nga sensitiviteti i treguar nga media dhe opinioni publik lidhur me çeshtjen e zëvëndësimit të vakancave të krijuara në Kuvendin e Shqipërisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju bën me dije se,në KQZ mbërritur kërkesa e Kuvendit të Shqipërisë për plotësimin e vendeve vakante për 57 deputetë të dorëhequr. KQZ konfirmon vijimin e procedurave të mëtejshme në zbatim të nenit 164 të Kodit Zgjedhor. Ligji i kërkon KQZ-së që të kontaktojë kandidatët e listave respektive sipas radhës dhe t’u kërkojë atyre plotësimin e formularit të vetëdeklarimit pa të cilin nuk mund të marrin vertëtimin e zgjedhjes. Kandidatët e listës shumemërore kanë afat 10 ditë për dorëzimin e formularit të vetëdeklarimit.”

 

Gjithashtu në fjalën e saj Hoxhaj ka thënë se mejëherë pas verifikimit dhe shqyrtimit nga Administrata e KQZ-së zëvëndësimet e vakancave të krijuara, do të kalojnë në mbledhjet publike të KQZ-së, duke theksuar se KQZ-ja garanton me rigorozitet zbatimin e ligjit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re