Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e një grupi të shoqërisë civile për të ndryshuar ligjin e Referendumeve në Shqipëri. Sipas anëtarëve të propozuar nga mazhoranca në KQZ, nisma është në tejkalim të procedurave ligjore, dhe nuk mund të ketë referendum në vendin tonë, të paktën edhe vitin e ardhshëm, pasi më herët duhet të ketë një ndryshim të ligjit.

Ish kreu i KQZ-së Kristaq Kume dhe Brizida Gjikondi, së bashku me 11 aktivistë të tjerë kanë paraqitur prej kohësh pranë KQZ-së, kërkesën për aplikimin e një referendumi, që mund të lejonte shqiptarët të kenë të drejtë vendimmarrëse, për miratimin e Sistemit Zgjedhor në vendin tonë, dhe që kjo temë të mos iu lihet në dorë partive politike.

Por përveç kreut të KQZ-së Klement Zguri, të gjithë anëtarët e tjerë u shprehën kundër mbajtjes së këtij referendumi, pasi sipas tyre ishte në tejkalim të procedurës ligjore. Në fund të kësaj mbledhje Kume dhe Gjikondi u shprehën se vendimi është i padrejtë, dhe tregoi dhe njëherë tjetër politizimin që kanë anëtarët e KQZ.

“Referendumi është një e drejtë që duhet të ushtrohet nga qytetarët dhe nuk mund të mohohet. KQZ është jashtë funksionit të saj pasi duhet të kishte 7 anëtarë që të ishin pjesë e mbledhjes dhe jo 5. Nuk kemi as ku ta ankimojmë këtë vendim, pasi Kolegji Zgjedhor dhe Gjykata Kushtetuese janë jashtë funksionit, ky është realiteti i vendit ku ne jetojmë”, tha Gjikondi.

Ndërkohë që kërkesën për ndryshimin e ligjit të Referendumeve e ka shtruar në Këshillin Politik dhe deputetja Rudina Hajdari, por që nuk është marrë parasysh nga tre anëtarët e tjerë, që janë përfaqësues të partive politike. (E.K/Faxweb.al)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re