Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë një pasqyrë të infrastrukturës dhe planit të masave të ndërmarra për mbarëvatjen e procesit zgjedhore të së dielës.
Në një konferencë për mediat u bë e ditur se disa operatorë janë tërhequr, kosto e së cilës bie mbi këtë institucion. Lidhur me këtë, KQZ bën thirrje që të tilla akte të mos përsëriten.
“Kemi pasur 501 qendra votimi që ka pasur operatorë dhe është lidhur kontrata, diferenca nuk ka qenë e mbuluar. Është e vërtetë ka pasur raste të tërheqjes nga operatorët, por afati i tyre ka skaduar dhe çfarë do lloj tërheqje është një kosto e madhe për KQZ që është angazhuar për trajnimin e tyre. Kjo ishte dhe arsyeja e këtij mesazhi për të shmangur akte të papërgjegjshme, ne e kemi mundësi të hetojmë deri në fund rastin e tyre lidhur me tërheqjen. Në rast difekti, KQZ duhet të presë deri në 3 orë rregullimin e defektit, dhe në rastin e mos paraqitjes së operatorit ne kemi njoftuar të gjithë KQZ-të për operatorët. KQZ-të e dinë se cili është operatori, aty ku ka mungesë do vijojë me identifikimin tradicional. Ka pasur një numër të lartë problemesh, në Vlorë dhe Gjirokastër më së shumti”, u tha në konferencë.
Lidhur me denoncimin e opozitës për votim fiktiv, me argumentin se identifikimi elektronik nuk është funksional, Nënkomisionerja e KQZ, Lealba Pelinku, thekson se janë miratuar rregulla strikte, por në rast se do të ketë problematika çdo gjë do të hetohet.
“Komisioni ka miratuar rregulla strikte dhe e ngurtësojnë rastin që me qëllim apo pa qëllim, zgjedhësit nuk i merren shenjat e gishtërinjve. Vetë pajisja ndihmon që rasti të identifikohet, zgjedhësi do nënshkruajë në listën e zgjedhjeve dhe sekretari bashkë me operatorin. Nëse vërtet do ketë problematika do jetë e thjeshtë që të faktohet dhe hetohet se çfarë ka ndodhur”, thekson ajo.
KQZ shton se operatorët e caktuar për zgjedhjet vendore duhet të paraqiten në qendrat e votimit në orën 6:00.
