Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë 48 orë kreut të PD, Lulzim Basha që të plotësojë dokumentacionin për regjistrim në zgjedhjet lokale të 14 majit.

 

Komisioneri i Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi e ka cilësuar si të paqartë autorizimin e kreut të PD, Lulzim Basha për të deleguar kompetencat tek përfaqësuesi ligjor i PD, Indrit Sefa. Ky i fundit dorëzoi kërkesën e regjistrimit të Partisë Demokratike në KQZ.

 

Sipas KQZ, bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit, të drejtën për regjIstrimin e PD në zgjedhje e gëzon Lulzim Basha. Ky i fundit gëzon dhe të drejtën për autorizimin e palëve të treta, por sipas KQZ kërkesa ka mangësi në dokumentacion e paraqitur para këtij institucioni, duke mos qenë koherent me parashikimet në Kodin Zgjedhor.

 

“Autorizimi s’është i qartë. Duhet të shënohet se autorizimi vlen për zgjedhjet e datës 14 maj, jo thjesht zgjedhjet e vitit 2023. Ka edhe një mangësi që lidhet me detyrimin personal të kryetarit të PD për të nënshkruar deklaratën. Basha personalisht duhet të nënshkruante deklaratën e moskryerjes së krimeve zgjedhore. Cdo kompetencë tjetër mund të delegohet te të tretë. Deklarata e kryetarit të partisë është përgjegjësi dhe si përgjegjësi ajo nuk mund të delegohet, ndaj duke e konkluduar këtë arsyetim, vlerësoj që dokumentacioni i paraqitur nga përfaqësuesi i PD, z.Basha nuk është i plotë ndaj do ju jap 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara”, deklaroi Celibashi.

 

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e PD të “Rithemelimit” pretendojnë se regjistrimi i PD nga Lulzim Basha është ilegjitim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re