Lajm të mirë e quajti edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shërimin e doktor Dhimitër Krajës. Për kryedemokratin, personeli mjekësor meriton respekt për punën që po bën.

 

“Është një lajm i gëzuar për mua personalisht dhe për çdo bashkëqytetar shërimi i Prof. Dhimitër Krajës. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për të gjithë personelin mjekësor që po përballet sot me COVID-19. Për të gjithë ata mjekë, laborantë, infermierë, sanitarë e shoferë ambulancash që rrezikojnë çdo ditë jetët e tyre në shërbim të qytetarëve. Në këto ditë të vështira ata meritojnë angazhimin serioz të qeverisë për të siguruar të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse për ekipet mjekësore.”

 

Basha përfitoi nga rasti për të përsëritur edhe një herë thirrjen ndaj qeverisë që të kryejë sa më shumë teste.

 

“Transparenca është garanci dhe siguri si për stafet mjekësore ashtu dhe për të gjithë qytetarët. Testimi është mënyra më e suksesshme që po aplikohet sot për të identifikuar të prekurit nga COVID-19 dhe për të shkëputur zinxhirin e transmetimit. Prandaj sa nuk është vonë qeveria duhet të zbatojë korrektësisht kërkesën standarte të OBSH: rritjen e numrit të testimeve.”

 

Para Bashës, reaguan edhe kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re