Zyrtari i PSD-së, Frashër Krasniqi në një intervistë për Vizion Plus bën fajtor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për situatën e tensionuar me ndërkombëtarët dhe me Shqipërinë.

 

Cili është opinioni juaj mbi planit e propozuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për shtensionimin e situatës së krijuar në komunat me shumicë serbe?

 

“Nëse e keni vështruar me vëmendje historinë e veprimeve politike të z.Kurti, veçanërisht në dy ose tre vitet e fundit, që prej kur ai është në qeveri, do të vëreni shumë mirë se zakonisht Kurti kur ka dashur që të imponojë ose ta bëjë më lehtë të pranueshëm një projekt apo një kompromis që ai e ka vënë në dialogun më Serbinë, që është asociacioni i komunave serbe, ai zakonisht këtë pranueshmëri e ka imponuar përmes tensioneve. Ai ka shkatuar një tension, në mënyrë që e gjithë opozita, media, faktori ndërkombëtarë t’i bëjnë presion, të lutem hiqu dhe pranoje kompromisi dhe në këtë presion ai të duket sikur është i vetmi politikan që po reziston dhe në fund kur të pranojë kompromisin që në këtë rast është autonomia për veriun, të duket sikur më në fund e luajti politikanin racional. Krejt kjo është një lojë e Kurtit dhe një metodë se si ai e ka bërë elektoratin në Kosovë t’i përbi pranimin e marrëveshjeve në kundërshtimin e të cilave e ka ndërtuar të gjithë karrierën e vetë politike”, thekson ai duke shtuar se kompromiset e Kurtit janë bërë gjithmonë duke paraqitur disa kushte, duke nisur që nga hyrja e parë në dialog, ndonëse kushtet nuk i janë pranuar.

 

Kurti gati u shpreh me një nënqeshje lidhur me draftin e kryeministrit të Shqipërisë për asociacionin në veri, si mendoni ju?

 

“Ne nuk jemi dakord që Kosova të bëjë asociacionin, sepse mendojnë se asociacioni është një zgjidhje e përkohshme, e cila prodhon kriza në të ardhmen, tha ai duke theksuar se asociacioni do të lërë sërish konfliktin brenda. “Në këtë kontekst ne nuk jemi dakord që as Rama, as Kurti, askush të propozojë një draft për asociacionin. Kurti para se t’i drejtohet Ramës, me të cilin as unë nuk jam dakord për propozimin e asociacionit por për arsye parimore dhe jo pse Rama është kryeministër i Shqipërisë, sepse ne vazhdimisht kemi thënë që Shqipëria duhet të përzihet në punët e Kosovës dhe Kosova në punët e Shqipërisë. Kurti para se t’i drejtohet Ramës, duhet të na shpjegojë ne se pse ai hoqi dorë nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse njëri nga kushtet që Kurti pati vendosur vendosur për formimin e asociacionit, ishte reciprociteti me Luginën e Preshevës”, thekson ai.

 

Mbledhja e kabineteve të Shqipërisë dhe Kosovës ditën e nesërme në Gjakovë, nëse do të zhvillohej, si do të dukej në gjendjen aktuale mes dy qeverive?

 

“Unë mendoj që përsa të ketë konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, për aq kohë sa të mos ketë një zgjidhje që sjell paqe të përhershme në vullnetin e popullit të dy palëve, vazhdimisht do të ketë konflikte të tilla”, tha ai duke theksuar se tensionimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Shqipërisë është fatkeqësi për të cilin bën fajtor politikanët autokratë dhe kryesisht kryeministri i Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re