Shqipëria siguroi një kredi prej 139 milionë Special Drawing Rights ose afërsisht 174 milionë euro për të përballuar disbalancat e mundshme në llogarinë korrente të vendit të shkaktuara nga paraliza ekonomike e pandemisë por kjo kredi pritet të kushtojë relativisht më shtrenjtë se sa borxhet që qeveria shqiptare ka marrë deri më sot në tregun e brendshëm apo atë ndërkombëtar në valutë të fortë.

Marrëveshja mes qeverisë dhe FMN-së u dorëzua për miratim në Kuvendin e Shqipërisë dhe në të thuhet se huaja e FMN-së do të kushtojë rreth 4.05% në vit ndërsa afati i shlyerjes së saj do të jetë tre vjet e gjysmë.

“Instrumenti që i akordohet Shqipërisë ka një normë huadhënie që do të përfshijë normën bazë të interesit në SDR (0.05%), një marzh të vendosur nga Bordi Drejtues (1%), tarifën shtesë të bazuar në nivel prej 2%, dhe një tarifë shtesë të bazuar në kohë prej 1%, duke e çuar normën totale të instrumentit në 4.05%,” thuhet në dokumentin e depozituar në Kuvend.

Paratë do të jenë në dispozicion të Bankës së Shqipërisë për t’u përdorur në rast se dislabancat në qarkullimin monetar ndërkufitar të vendit sjellin presion mbi kursin e këmbimit.

Norma e interesit të kësaj huaje është për rrjedhojë më e lartë se sa interesi i marrë në ankandin e fundit për bonde sovrane në euro me interes 3.55% në Tetor 2018 ndërsa obligacionet në euro të emetuara në tregun e brendshëm pak javë më parë patën një interes vjetor në masën 1.94%.

E Drejta Speciale e Tërheqjes është një njësi mbajtjeje llogarish e përdorur nga FMN për të pasqyruar vlerën e shportës së monedhave përbërëse të FMN-së.

/Reporter.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re