Pas “nuk kemi parë gjë akoma”, një thënie e Ramës në seancën e parë parlamentare pas ardhjes në pushtet në 2013-ën, vjen një e ngjashme me të: “nuk na keni njohur akoma”. Kjo thënie i atribuohet deputetit Erjon Braçe, i cili në seancën e kësaj të enjteje ishte figura kryesore pasi mbrojti ligjin që mbyll lojrat e fatit, si dhe atë që jua heq “nga goja” fëmijëve, pijet energjike.

Duke folur për temën e parë, aty ku dha shifra për të kundërtën e pretenduar nga opozita se lojrat e fatit u shtuan, Braçe u ndal te kërcënimet që ka marrë, ai apo kolegë të tij.

“Na kanë dërguar mesazhe, por që ne i kemi lënë pas në telefon. Na kanë thënë: “Ju merreni me ne, ne do të merremi me fëmijët tuaj”. Por, ne nuk tërhiqemi nga betejat. Nuk na keni njohur akoma”, tha Braçe, në rolin e kreut të komisionit të Ekonomisë.

Por ndryshe nga rasti me Ramën, kjo u tha pa prezencën e opozitës në sallë, që edhe pse zyrtarisht nuk ka shpallur bojkot, vijon të mungojë në sallë. Kur Rama e tha frazën “nuk keni parë gjë akoma”, opozita e morri si kërcënim ndaj saj, ndërkohë që shefi i mazhorancës e tha në kontekst të reformave që po promovonte, si përbetim që do i çonte deri në fund gjatë qeverisjes së tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re