Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në lidhje me vendimin e embargos së Bashkimit Evropian ndaj naftës ruse tha se “Këto sanksione do të ndikojnë negativisht në të gjithë kontinentin dhe gjithë tregun global”.

Duke folur për gazetarët në Moskë lidhur me vendimin e embargos së BE-së ndaj naftës ruse, Peskov tha se tregu evropian është i rëndësishëm për naftën ruse. “Këto sanksione do të kenë efekte negative. Këto sanksione sigurisht që do të ndikojnë negativisht në të gjithë kontinentin, evropianët, neve dhe të gjithë tregun global”, tha Peskov.

Ai tha se po punojnë për të zbutur ndikimin e embargos. “Sigurisht ne i ridrejtojmë vëllimet e zbrazëta drejt rrugëve alternative. Këto janë hapa sistematikë me një qëllim që do të na mundësojnë të minimizojmë pasojat negative”, tha ai.

– Vizita e Lavrovit në Turqi

Duke folur për vizitën e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov në Turqi më 8 qershor, Peskov tha: “Ministri me të vërtetë po planifikon një kontakt të tillë. Ai do t’i shpallë vetë rezultatet”.

I pyetur nëse vizita në fjalë ishte një përgatitje për një takim të mundshëm në Stamboll ndërmjet delegacioneve të Rusisë, Ukrainës dhe OKB-së, Peskov tha se “Konteksti i gjithë kësaj është i njëjtë. Të gjitha ngjarjet këtu janë të lidhura indirekt. Nuk ka ende një kuptim të plotë të negociatave”.

Ai tha se po vazhdojnë bisedimet për vizitën e presidentit rus, Vladimir Putin në Turqi ndërsa data e vizitës ende nuk është caktuar.

– Përgjigje ndaj dërgesave të armëve në SHBA

Lidhur me dërgesat e reja të armëve të SHBA-së në Ukrainë, Peskov tha: “Ne besojmë se SHBA-ja me qëllim i hodhi benzinë zjarrit. SHBA-ja i përmbahet linjës së luftës kundër Rusisë derisa të mbetet ukrainasi i fundit”.

Zëdhënësi i Kremlinit thotë se dërgesat e armëve në Ukrainë nuk kanë kontribuar në bisedimet e paqes.

I pyetur se cili do të ishte reagimi i Rusisë nëse SHBA-ja dërgon raketa me rreze të gjatë të quajtur “Sistemi i Raketave të Shumëfishta” në Ukrainë, Peskov tha: “Le të mos flasim për skenarët e rastit më të keq”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re