Skip to content

Kremlini: Ka zhvillime pozitive në zgjatjen e marrëveshjes së drithit

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se vazhdojnë punimet intensive lidhur me zgjatjen e marrëveshjes së drithit.

Në një deklaratë për gazetarët në Moskë, Peskov vuri në dukje se vazhdojnë negociatat lidhur me zgjatjen e marrëveshjes së drithit e cila do të përfundojë më 19 nëntor.

Peskov tha se ekspertët po punojnë në mënyrë intensive rreth çështjes. “Po flasim lidhur me marrëveshjen, në thelb, për marrëveshjet për heqjen e kufizimeve lidhur edhe me eksportin e produkteve ruse. Ka kontakte konstruktive me Kombet e Bashkuara”, tha ai.

Peskov vuri në dukje se presin që të gjejnë zgjidhje bisedimet që përfshijnë edhe kufizimet ndaj produkteve ruse. “Ka zhvillime pozitive për zgjatjen e marrëveshjes së drithit por është e nevojshme të sigurohet zbatimi i plotë i marrëveshjeve të mëparshme”, tha ai.

Raketa që ra në territorin e Polonisë

Zëdhënësi Peskov foli edhe për raketën që ra më 15 nëntor në fshatin Przewodow të Polonisë në kufirin me Ukrainën, ku si pasojë humbën jetën 2 persona.

“Kemi dëshmuar edhe një reagim tjetër anti-rus të zjarrtë dhe histerik i cili nuk përputhet me asnjë të dhënë të vërtetë. Madje, përfaqësues të vendeve të ndryshme kanë dhënë deklarata pa patur asnjë informacion të qartë se çfarë ka ndodhur”, deklaroi Peskov.

Ai potencoi se nuk kanë hasur në një reagim të ngjashëm në sabotimin kundër tubacioneve të “Rrjedhës Veriore”. “Në atë kohë nuk kishte një reagim të tillë dhe askush nuk nxitoi për të gjetur se kush e organizoi sabotazhin”, tha Peskov.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se e vlerësojnë në drejtim pozitiv qasjen e SHBA-së lidhur me zhvillimet. “Do të jetë më e logjikshme që vëmendja të tërhiqet në reagim më të matur dhe më profesional të palës amerikane dhe presidentit të SHBA-së. Dua të tërheq vëmendjen mbi reagimin e matur të SHBA-së, i cili bie në kontrast me reagimin tërësisht histerik të Polonisë dhe vendeve të tjera”, thekson Peskov.

Burimi: AA