Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov njoftoi se dërgesat në vendet që refuzojnë sistemin e pagesave në rubla për gazin natyror rus janë ndalur.

Duke folur për gazetarët në Moskë, Peskov kujtoi se ka hyrë në zbatim sistemi i ri i pagesës së rublave për dërgesën e gazit natyror rus.

Ai tha se dërgesat e gazit natyror janë ndalur në vendet që refuzojnë sistemin në fjalë. “Dërgesat në vendet që refuzojnë sistemin e pagesave në rubla për gazin natyror janë ndalur. Nuk do të bëhen ndalesa të mëtejshme. Sistemi është rregulluar dhe ata që blejnë gaz punojnë sipas sistemit të ri të përcaktuar në dekretin përkatës të presidentit të Rusisë”, theksoi Peskov.

Kompania ruse e energjisë Gazprom ka ndaluar më parë dërgesat e gazit natyror për Poloninë, Bullgarinë, Finlandën, Holandën dhe disa kompani evropiane me arsyetimin se nuk kishin paguar në rubla.

Më 23 mars, presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi planin e tij për të kaluar në rubla ruse për pagesat për shitjet e gazit natyror.

Në sistemin e ri, i cili hyri në fuqi me dekretin e nënshkruar nga Putini më 31 mars, parashikohet që vendet që blejnë gazin rus të hapin llogari në Gazprombank, të kryejnë pagesat në këtë bankë dhe më pas të konvertojnë fondet në rubla në bursën e Moskës.

Në një deklaratë pas nënshkrimit të dekretit, Putin tha se kontratat e gazit do të ndërpriten nëse vendet jomiqësore nuk e pranojnë sistemin e ri.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re