Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk pranojnë akuzat drejtuar ndaj vendit të tij lidhur me vrasjen e civilëve në qytetin Bucha të Ukrainës.

Peskov, në një deklaratë për gazetarët në Moskë, tërhoqi vëmendjen mbi zhvillimet në qytetin Bucha dhe deklaratën e bërë nga zv/kryeministri polak, Jaroslaw Kaczynski, se janë të gatshëm të vendosin në territoret e tyre armë bërthamore.

“Sigurisht veprimet e rekomanduara, në të ardhmen mund të shkaktojnë përshkallëzim të tensionit në kontinent. Vija luftarake dhe anti-ruse e administratës së Polonisë shkakton shqetësime të thella”, tha Peskov.

– “Çështja e qytetit Bucha duhet të bisedohet në nivelin më të lartë”

Në vlerësimin e tij lidhur me pamjet në qytetin Bucha të Ukrainës, Peksov ka mbrojtur idenë se duhet të vihen në dyshim informacionet që këtu janë vrarë civilë.

“Nuk duhet t’u besojmë pamjeve që shikojmë. Ekspertët e Ministrisë tonë të Mbrojtjes kanë përcaktuar shenja se pamjet janë të rreme”, tha Peskov.

Ai theksoi se liderët e vendeve nuk duhet të nxitojnë për të bërë deklarata pa pasur prova të mjaftueshme lidhur me situatën në Bucha dhe se duhet të kërkojnë informacione nga burime të ndryshme. “Refuzojmë kategorikisht çdo akuzë. Gjithashtu kjo çështje mendojmë se duhet të bisedohet në nivelin më të lartë”, tha Peskov.

Ndër të tjera, Peskov tha se kanë propozuar që kjo çështje të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), por sipas tij ky propozim është penguar.

Ushtria ukrainase e cila më 1 prill çliroi nga forcat ruse qytetin Bucha në afërsi të Kievit, kryeqytetit të Ukrainës, u përball me një qytet me ndërtesa të shkatërruara dhe me rrugë plot trupa të pajetë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re