Kremlini ka bërë të ditur se takimi i pa njoftuar i krerëve të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA) dhe Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse (SVR) u mbajt në kryeqytetin turk Ankara me kërkesë të SHBA-së.
Siç raporton agjencia e lajmeve TASS, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “negociatat e tilla vërtet u zhvilluan” dhe se ajo ishte “iniciativë e palës amerikane”.

Duke mos e bërë të ditur agjendën e takimit, Peskov konfirmoi takimin në Ankara midis drejtorit të CIA-s, Bill Burns dhe homologut të tij rus, Sergey Naryshkin.

Më herët gjatë ditës, gjithashtu edhe një zyrtar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në kushte anonimiteti, për AA tha se kanalet e komunikimit me Rusinë janë të hapura, veçanërisht në lidhje me menaxhimin e rrezikut, në veçanti rrezikun e një sulmi bërthamor dhe rreziqet për stabilitetin strategjik.

“Si pjesë e këtyre përpjekjeve, Bill Burns do të takohet me homologun e tij të inteligjencës së Rusisë sot në Ankara. Nuk do të ketë aspak negociata. Burns nuk do të diskutojë zgjidhjen e luftës së Ukrainës. Burns do të përcjellë një mesazh për pasojat e përdorimit të Rusisë të armëve bërthamore dhe përshkallëzimin e tensioneve në stabilitetin strategjik”, tha zyrtari.

Më tej, ai tha se Burns do të ngrejë edhe çështjen e shtetasve amerikanë të arrestuar “padrejtësisht” në Rusi.

“Ne informuam Ukrainën për këtë takim. Ne jemi të vendosur ndaj parimit tonë bazë, pa Ukrainën, asgjë nuk do të ndodhë për çështjen e Ukrainës”, theksoi ai.

Turqia është vlerësuar ndërkombëtarisht për politikën e saj të ekuilibrit ndaj Rusisë në mes të luftës në Ukrainës, duke i mundësuar Ankarasë të ndërmjetësojë arritje të tilla si marrëveshja e korridorit të drithërave të Detit të Zi këtë verë.

Turqia është përpjekur për arritjen e një armëpushimi në luftë dhe ka shprehur kundërshtimin e fortë ndaj çdo përdorimi të armëve bërthamore, mes aludimeve të dukshme se armë të tilla mund të përdoren.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re