Autoritetet ruse thanë se vendosja e trupave amerikane në Rumani rrit kërcënimin kundër Rusisë, duke u zotuar se Moska do ta marrë këtë parasysh ndërsa vepron për të garantuar sigurinë e saj.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një konferencë për media në Moskë tha se lëvizja e kontingjenteve amerikane nuk sjellë parashikueshmëri dhe stabilitet në rajon.

Komentet e Peskovit erdhën pasi mediat amerikane raportuan se Divizioni Ajror i 101-të i Forcave Tokësore të SHBA-së i stacionuar në Evropë ishte gati të hynte në territorin ukrainas nëse konflikti me Rusinë përshkallëzohej më tej ose nëse sulmohej një aleat i NATO-s.

I pyetur për mundësinë e një vizite në Ukrainë nga përfaqësues të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për të hetuar akuzat ruse se Kievi po planifikonte të shpërthente një pajisje të improvizuar bërthamore ose “bombë të pistë”, Peskov tha se Rusia ishte në kontakt me organizatën.

Shkëmbim i mundshëm i të burgosurve me SHBA-në

I pyetur në lidhje me dënimin me 9 vjet të basketbollistes amerikane Britney Griner, Peskov refuzoi të komentojë mbi “vendimet e gjykatave”.

Përderisa pranoi se një shkëmbim i të burgosurve midis SHBA-së dhe Rusisë ishte i mundur, ai tha se vendet nuk duhet të komentojnë publikisht për çështje të tilla përpara se të ndodhin, për të shmangur dëmtimin e procesit.

31-vjeçarja Griner u arrestua në shkurt në aeroportin “Sheremetyevo” të Moskës me dyshimin se po përpiqej të importonte ilegalisht vaj hashashi në Rusi.

Ajo u deklarua fajtore në korrik për akuzat, por ka pohuar se ka përdorur kanabis medicinal për të trajtuar dhimbjet dhe ka mohuar qëllimin për të shkelur ligjin rus.

Në gusht, Gjykata e qytetit Khimki të Moskës e dënoi Grinerin me 9 vjet burg dhe një gjobë prej 1 milion rubla (15.500 dollarë).

Duke e quajtur dënimin “të papranueshëm”, presidenti i SHBA-së, Joe Biden i kërkoi Rusisë “ta lirojë atë menjëherë”, në mënyrë që ajo të mund të jetë me të dashurit e saj.

Një nga basketbollistet më të mira në botë, Griner ndihmoi ekipin kombëtar të basketbollit të grave të SHBA-së të fitonte dy medalje të arta olimpike në vitet 2016 dhe 2020 dhe dy kampionate botërore, një në Türkiye në vitin 2014 dhe tjetra në Spanjë në vitin 2018.

Në Rusi, ajo kishte luajtur për BC UMMC Ekaterinburg që nga viti 2014.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re