Raportimi i KTV-së e ka dërguar në komision disiplinor kirurgun Enver Fekaj dhe drejtorin e Kirurgjisë në QKUK.

Fekaj i kishte kërkuar familjes Ibrahimaj nga Istogu që djalin ta operojnë në klinikën e tij private, derisa e ka lënë me plagë të hapur tash e 6 muaj.

Kirurgu, që punon edhe në QKUK, nuk pranoi që 19-vjeçarin Hysen Ibrahimaj, ta operojë në këtë klinikë publike.

Ministri i Shëndetësisë, bashkë me drejtorin e Shërbimit Spitalor, e kanë vizituar familjen në Istog, këtë të diel.

Pos kirurgut Fekaj, ShSKUK-ja e ka paraqitur në komision disiplinor edhe drejtorin e Kirurgjisë, Rifat Bajrami.

Drejtori i ShSKUK-së, megjithatë nuk ka treguar për masat që mund të merren ndaj tyre.

Ministri i Shëndetësisë thotë se i kanë ofruar tani familjes mundësinë që shërbimin e nevojshëm ta marrin në QKUK.

Prindërit e Hysen Ibrahimajt thonë se do të pranojnë ta kryejnë operacionin në QKUK, vetëm nëse marrin garancione për të.

Mosdhënia e ndihmës mjekësore është vepër e dënueshme edhe me Kodin Penal të Kosovës.

Mjeku që refuzon t’i ofrojë ndihmën mjekësore personit që ka nevojë, dënohet me burgim deri në 3 vjet.

Ministri i Shëndetësisë ka thënë se nuk është në dijeni nëse Prokuroria ka nisur hetim për këtë rast.

.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re