-Krerët e shtetit shqiptar përshëndesin marrëveshjen Kosovë-Serbi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama kanë përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, të negociuar nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Meta e cilëson marrëveshjen një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes të dy vendeve në funksion të paqes.

“E përshëndes nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, të negociuar nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Trump! Një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes të dy vendeve, në funksion të paqes e stabilitetit në rajonin tonë”, tha Meta.

Edhe kryeministri Rama ka reaguar në rrjetet sociale, i cili shkruan: “Asnjë tradhti burra. Urime Kryeministrit Hoti për marrëveshjen e arritur me Serbinë, e cila s’është fundi po vazhdimi i të vetmes rrugë drejt njohjes përfundimtare:”

“Dialog për gjithçka, bashkëpunim për çka mundet sot, këmbëngulje për çka duhet nesër. Keqardhje që u humb kaq kohë për t’u dakordësuar me Shengenin Rajonal, si një projekt ambicioz me interes kombëtar zhvillimi përmes rritjes së bashkëpunimit, e si një shtysë më shumë për integrimin evropian të shteteve tona. Po më mirë vonë se kurrë, edhe falë Amerikës mike”, ka shkruar Rama.

Rama thekson më tej se “Njohja e Kosovës nga Izraeli është fryti fantastik i kësaj marrëveshjeje me potencial të madh zhvillimor, po edhe shembull për të gjithë që lufta për paqen përfundimtare me Serbinë nuk bëhet as me shpata virtuale kundër Beogradit, as me damkosje digjitale tradhtarësh imagjinarë”.

***

-Zhvillohet ceremonia e aktivizimit të Komandës dhe ndërrimit të komandantëve të SEEBRIG 

Në kuadrin e Iniciativës të SEDM, që kryesohet aktualisht nga Shqipëria, u zhvillua para pak ditëve në Kumanovë, Maqedonia e Veriut, ceremonia e aktivizimit të Komandës së SEEBRIG/Forcës Paqeruajtëse Shumëkombëshe të Evropës Juglindore (MPFSEE), ceremonia e ndërrimit të komandantëve të SEEBRIG si dhe e festimit të 21-Vjetorit të Komandës së SEEBRIG.

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë,  njëkohësisht kryetar i SEDM-CC/PMSC, Petro Koçi, presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ministra, zëvendësministra të Mbrojtjes dhe zëvendësshefa të SHPFA nga vendet e Forcës Paqeruajtëse Shumëkombëshe të Evropës Juglindore (MPFSEE), ambasadorë  dhe atashe të Mbrojtjes nga vendet anëtare të PMSC, autoritete lokale dhe personeli i Komandës së SEEBRIG së bashku me familjet e tyre morën pjesë në këtë ceremoni.

Kryetari i SEDM-CC/PMSC, Petro Koçi shprehu vlerësimet dhe falënderimet për autoritetet ushtarake dhe civile të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen dhe për kushtet dhe infrastrukturën e krijuar për Komandën e re të SEEBRIG në Kumanovë, e cila do të jetë “shtëpia e SEEBRIG” për gjashtë vitet e ardhshme.

Ai nënvizoi faktin se Iniciativa e MPFSEE ose e njohur ndryshe si Forca Shumëkombëshe Paqeruajtëse e Evropës Juglindore (SEEBRIG) është një histori suksesi, pasi ka kontribuar shumë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, në besimin reciprok dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis vendeve të Evropës Juglindore.

Gjatë ceremonisë, komandanti i SEEBRIG u vlerësua nga kryetari i SEDM-CC/PMSC, Petro Koçi, me medaljen “SEEBRIG Accomplishment Medal” për shërbimin dhe realizimin me sukses të detyrave të ngarkuara…

Disa momente kryesore në historikun e SEEBRIG janë:

• 31 gusht 1999, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar u aktivizua SEEBRIG në Plovdiv, Bullgari.

• Maj 2001 u deklarua gatishmëria operacionale e brigadës në operacionet e drejtuara nga OKB, OSBE dhe operacionet paqeruajtëse të drejtuara nga NATO.

• Prill 2003, PMSC deklaroi se SEEBRIG është gati të marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse (PSO) të drejtuara nga NATO e BE.

• 2003-2007 Komanda e SEEBRIG u dislokua në Konstanca, Rumani.

• Prill dhe tetor 2004, ekipi i vlerësimit deklaroi Kapacitetet Operacionale Fillestare (IOC) dhe Kapacitetet e Plota Operacionale (FOC).

• 2006, SEEBRIG mori pjesë në operacionet në mbështetje të paqes në Afganistan.

• 2007-2011, Komanda e SEEBRIG u dislokua në Stamboll, Turqi.

• 2011-2020, Komanda e SEEBRIG u dislokua në Larisa, Greqi.

• 2020-2026, Komanda e SEEBRIG dislokohet ne Kumanovë, Maqedonia e Veriut.

***

-Koreja e Jugut mbështet Shqipërinë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar të martën një bisedë telefonike me ministren e Tregtisë të Republikës së Koresë së Jugut, Yoo Myung-hee.

“Biseduam për nevojën e nxitjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, veçanërisht nëpërmjet disa projekteve konkrete në fushën e teknologjisë së informacionit”, tha ai.

Po ashtu, Cakaj theksoi se “diskutuam hollësisht edhe për bashkëpunimin e vyer në disa organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë Organizatën Botërore të Tregtisë. Tutje, Koreja e Jugut ofron mbështetjen e saj për synimin e Shqipërisë që të shërbejë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së 2022-2023″.

***

-Shqipëria merr pjesë në takimin e ministrave të Financave nga OKB

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Anila Denaj, mori pjesë në takimin virtual të ministrave të Financave të thirrur nga zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Në këtë takim u ndanë përvojat e deritanishme mbi masat e marra për përballimin e efekteve në ekonomi, si pasojë e pandemisë COVID– 19.

Ministrja Denaj u shpreh se “theksuam nevojën për të mobilizuar burimet financiare për të arritur objektivat e Agjendës 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), me qëllim stabilitetin ekonomik në periudhë afatmesme e afatgjatë”.

Denaj sqaroi se “informova homologët mbi nismat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, me fokus të veçantë incentivat fiskale në dobi të biznesit, skemat e nxitjes së punësimit dhe rikthimit të punë, si dhe ato në dobi të kategorive më në nevojë”.

“Ky takim i paraprin atij të nivelit të lartë politik, të krerëve të shteteve që do të mbahet më 29 shtator 2020”, – tha Denaj

***

-Në Luginën e Preshevës shpërndahen falas 20 mijë libra  në gjuhën shqipe me mbështetjen financiare të Shqipërisë e Kosovës 

Me mbështetjen e drejtpërdrejtë financiare nga qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, Këshilli Kombëtar Shqiptar ka filluar shpërndarjen falas të teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës.

Lajmin e bëri të ditur ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili informoi se “do të shpërndahen rreth 20 mijë libra dhe do të përfitojnë 4 mijë nxënës shqiptarë”.

Cakaj theksoi se “kjo mbështetje do të kontribuojë në forcimin e arsimit në gjuhën shqipe e në rritjen e cilësisë së edukimit në Luginën e Preshevës”.

“Përderisa mbetet ende shumë për t’u bërë, ne do të vazhdojmë me masa tjera për ta mbështetur pakursyer Luginën”, tha ai.

Ndërkohë, edhe ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini u shpreh e lumtur që Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi ka nisur shpërndarjen e librave shqip falas nga Shqipëria për rreth 4 mijë nxënësit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, një kontribut ky i rëndësishëm i qeverisë shqiptare nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

“Kjo ditë e shumëpritur për të gjithë, le të jetë një ogur i mirë i punëve të dobishme që çojnë në rritjen e arsimit cilësor në gjuhën shqipe”, u shpreh ajo.

***

-Në Shqipëri doli në qarkullim libri: Thirrje e kolonisë shqiptare në Turqi drejtuar Fuqive të Mëdha të Antantës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Fondacioni ALSAR nxori nga shtypi botimin e tij të ri “Thirrje e kolonisë shqiptare në Turqi drejtuar Fuqive të Mëdha të Antantës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Ky botim është vijimësi  e përpjekjeve të tij modeste për pasurimin kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare, si dhe për lënien e një trashëgimie të rëndësishme për brezat që do të vijnë.

Sipas, kryetarit të këtij fondacioni, Mehdi Gurra, i cili ka bërë një parathënie, citon se ky botim vjen në vazhdim të përpjekjeve për t’i sjellë lexuesit vepra dhe tekste të pabotuara më herët në shqip, me interes për historinë e Shqipërisë dhe çështjen kombëtare.

Shpërbërja e Perandorisë Osmane solli dhe pikëpyetjet e mëdha mbi të ardhmen e shqiptarëve, të gjendur në një udhëkryq historik. Orekset e fqinjëve, si dhe mungesa e njëzëshmërisë midis vetë shqiptarëve, çuan në ndarjen tragjike territoriale në dekadat e para të shekullit të njëzetë. Fuqitë e mëdha e shpërfillën vullnetin e shqiptarëve dhe shfrytëzuan grindjet e pandërprera midis tyre.

Copëtimi i 1913-s dhemb. Folësit e shqipes i ndajnë kufij të vendosur arbitrarisht që prej atij viti. Ata herë ngjajnë të pajtuar me fatin e tyre, herë e ushqejnë veten me shpresën se do jenë sërish një me kontekstet e reja gjeopolitike.

Mizoritë e fqinjëve mbi shqiptarët janë të treguara në këtë përmbledhje materialesh, si u përndoqën dhe u vranë për arsye etnike fetare. Nga aty kupton se aktet gjenocidale të serbëve mbi shqiptarët pak mbi dy dhjetëvjeçarë më herët ishin fund i një veprimtarie asgjësuese shumë të mëhershme.

Materialet e dhëna këtu në shqip janë marrë  nga botimi i vëllimshëm. “Albania & Kosovo, Political and Ethnic Boundaries 1867-1946”, përgatitur nga Bejtullah Destani. Siç është praktika gati e përhershme e Fondacionit ‘ALSAR’, në botim gjenden dhe materialet në gjuhën origjinale, në frëngjisht dhe anglisht, si për ta bërë të lehtë krahasimin midis tyre, ashtu dhe për t’i prerë udhën çdo debate mbi vërtetësinë e tekstit, thuhet në mes të tjerave në hyrje të këtij botimi mjaft interesant.

Gjithashtu ALSAR ka nxjerrë nga shtypi edhe një libër të Prof.Dr. Mehmet Maksudoglu, “Vështrime mbi historinë osmane”.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re