Kancelari gjerman Olaf Scholz po mbështet kryeministrin holandez në largim Mark Rutte për postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, tha zëdhënësi i tij, Steffen Heberstreit.

“Me përvojën e tij të madhe, ekspertizën në politikën e sigurisë dhe ndjenjën e mprehtë të diplomacisë, ai është një kandidat i shkëlqyer për të pasuar Jens Stoltenberg”, tha Heberstreit në një postim në Platformën X, duke njoftuar se kancelari gjerman mbështet Rutte.

Pak më parë, pas SHBA-së dhe Britanisë, një zyrtar i lartë francez i tha agjencisë Reuters se Parisi gjithashtu mbështet Rutte. Burimi, i cili kërkoi të mbetet anonim, vuri në dukje se presidenti francez Emmanuel Macron ishte ndër të parët që propozoi politikanin holandez për këtë post një vit më parë.

Burimet diplomatike thanë se Rutte është i vetmi kandidat për këtë post për momentin në diskutimet prapa skenave, megjithëse presidenti rumun Klaus Iohannis është paraqitur së fundmi në bisedime jozyrtare. Por me mbështetjen e Uashingtonit, tre vendeve të mëdha evropiane dhe 16 vendeve të tjera të NATO-s – sipas diplomatëve – Rutte është tashmë në një pozicion të favorshëm dhe çdo kundërshtar do të luftonte fort për të mbizotëruar. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re