Skip to content

Kreu i bllokut më të madh sunit në Irak: Pas sulmit në Duhok qëndrojnë terroristët e PKK-së

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Përgjegjëse për sulmin vdekjeprurës, i cili në fillim të kësaj jave shënjestroi civilët në provincën Duhok në veri të Irakut, janë organizatat terroriste, përfshirë PKK-në, tha kreu i koalicionit më të madh sunit në Irak, Khamis al-Khanjar.

Al-Khanjar, kreu i bllokut sunit Al-Siyadeh në Parlament, përmes një postimi në mediat sociale, kërkoi nga qeveria që të ndërmarrë veprime serioze kundër këtyre grupeve terroriste, PKK-së dhe milicive të ndryshme të armatosura lokale në kufirin me Türkiyen (Turqinë), për të cilët siç tha ai, komplotuan sulmin në të cilin u vranë 9 persona të mërkurën.

Al-Khanjar, i cili drejton bllokun legjislativ me shumicën e deputetëve sunit, tha se mafia terroriste në rajon kreu sulmin me mbështetjen e PKK-së.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiye-s, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.

Ai akuzoi këto grupe mafioze terroriste se duke vrarë njerëz, synojnë të arrijnë qëllime politike në vend.

Duke kërkuar unitetin popullor kundër grupeve terroriste, Al-Khanjar shprehu keqardhjen për mungesën e reagimit të qeverisë kundër terroristëve.

– Sulmi në Duhok

Nëntë persona u vranë dhe 23 të tjerë u plagosën në sulmin e së mërkurës në qarkun Zakho.

Burimet turke të sigurisë kanë hedhur poshtë raportet “që mbështesin” PKK-në, të cilat pretendonin se civilët u vranë për shkak të “granatimeve” nga forcat turke.

Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiye-s u kërkohet zyrtarëve të qeverisë irakiane të mos japin deklarata për sulmin në Duhok “nën ndikimin e retorikës dhe propagandës” të organizatës terroriste PKK.

“Ne ftojmë zyrtarët e qeverisë irakiane që të bashkëpunojnë për të gjetur autorët e vërtetë të këtij incidenti tragjik”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

Duke potencuar se Türkiye është kundër të gjitha llojeve të sulmeve që synojnë civilët thuhet se: “Türkiye luftën e saj kundër terrorizmit e zhvillon në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ndjeshmëri maksimale për mbrojtjen e civilëve, infrastrukturës civile, trashëgimisë historike dhe kulturore si dhe mjedisit”.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se Ankaraja nuk kishte të bënte aspak me sulmin.

“Sipas informacioneve që kemi marrë nga Forcat e Armatosura Turke, ne nuk kemi kryer asnjë sulm ndaj civilëve”, tha Çavuşoğlu në një intervistë të drejtpërdrejtë për transmetuesin turk TRT Haber.

“Ne kemi njoftuar se mund të bashkëpunojmë me autoritetet irakiane pas sulmit të pabesë që ne mendojmë se është kryer nga organizatat terroriste. Ne hedhim poshtë deklaratat e autorizuara dhe të paautorizuara në lidhje me Türkiye-n”, tha Çavuşoğlu.

Ai theksoi se propaganda e PKK-së në Irak vjen në një kohë kur Türkiye është gati të nisë operacion të ri në veri të Sirisë, duke shtuar se autoritetet irakiane nuk duhet të bien në grackën e grupeve terroriste.

Çavuşoğlu tha se Türkiye do të vazhdojë luftën e saj kundër terrorizmit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke shënjestruar vetëm organizatat terroriste.
Burimi: AA

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë