Kreu i diplomacisë së Berlinit, Heiko Maas ka shpalosur qëndrimin e tij pro çeljes së kushtëzuar të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Tek e para ka vlerësuar reformën në drejtësi, ndërsa te e dyta marrëveshjen për emrin.

“Disa vende kanë bërë përparim të mirë në këto fusha. Për shembull ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, e cila do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut në të ardhmen. Shqipëria gjithashtu ka bërë progres me reformat ambicioze në gjyqësor. Kjo është arsyeja pse unë shprehimisht mbështes hapjen e kushtëzuar të negociatave me këto dy vende. Nëse ne nuk shohim perspektivën e tyre të pranimit, të gjitha reformat e tyre do të bëhen asgjë”, është shprehur Maas në Këshillin e Atlantikut.

Më tej, ministri i Jashtëm në kabinetin e Merkelit, tha se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë vizion strategjik për të ardhmen e unionit

“Nëse BE nuk arrin të bëjë përparim në procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve, dhe ne po diskutojmë ende për këtë çështje, pasojat do të jenë fatale. Për një kohë të gjatë tashmë, fuqitë e tjera, Rusia, Kina dhe vendet e Lindjes së Mesme, që janë me ide krejtësisht të ndryshme të rendit dhe stabilitetit se ato tonat në Europë, kanë kërkuar të mbushin këtë boshllëk”, tha Maas njeriu më i rëndësishëm në kabinetin Merkel pas kësaj të fundit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re