Kreu i të rinjve demokratë Belind Këlliçi, ka denoncuar një rast që sipas tij tregon për dy standarte të pushtetit.

Ai tha se një gjyqtar më të birin eurosocialist, dënoi një të ri të Forumit Rinor Demokrat, pasi gjuajti me vezë Erion Veliajn.

“’Drejtësia’ e Edi Ramës liron trafikantë e kriminelë të lidhur me pushtetin, por dënon të rinj që protestojnë për të drejtat e tyre!Kjo u dëshmua së fundmi nga dënimi politik i anëtarit të FRPD, Oleg Gora nga gjyqtari politik Arben Micko, babai i nënkryetarit të FRESSH-it, Artur Micko.

Krimi i të riut opozitar ishte goditja me vezë e Erion Veliajt, në shenjë proteste kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Gjyqtari politik i Rilindjes, në konflikt të hapur interesi, vendosi se të gjuash me vezë Erion Veliaj është prishje e qetësisë publike.

Në emër të të rinjve të Partisë Demokratike dhe të gjithë rinisë që ngre zërin kundër padrejtësisë dhe korrupsionit, dua të siguroj çdokënd që kërkon të mpijë reagimin qytetar se nuk kemi për t’i lënë të qetë në shkatërrimin e vendit dhe të së ardhmes sonë!

Vendimi i gjyqtarit politik të Rilindjes nuk është surprizë, sepse njihet afrimiteti i të birit fresshist me Erion Veliaj dhe me Olsi Ramën. Fotot shoqëruese e provojnë këtë.

Është revoltuese që në Shqipërinë e vitit 2018 një i ri opozitar dënohet pse protestoi kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, ndërsa Prokuroria i mbyll Erion Veliajt dosjen e vrasjes në landfillimin e Sharrës të 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj”, u shpreh Këlliçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re