Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka raportuar sot në Kuvend për veprimtarinë e Institucionit që drejton për vitin 2019.

Ai u shpreh se gjatë vitit të kaluar, është themeluar një sistem i “vetingut permanent të prokurorëve”, për verifikuar pasurinë e tyre.

Sipas Ibrahimit, “sistem i vetingut permanent do të hedhë gurët e themelit për integritetin në sistemin e Prokurorisë”.

Ai tha mes të tjerash se prokurorët janë bërë shpesh edhe objekte të sulmeve politike, ku theksoi se Këshilli ka përdorur kompetencat për të mbrojtur pavarësinë e tyre.

“Kemi pasur rast të përdorim kompetencat tona në lidhje me mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve, kur ata sipas gjykimit tonë, janë bërë objekt i sulmeve politike, jo politike, kam parasysh rastin e  drejtuesit të prokurorisë së përgjithshme, i cili  për shkak të cilësive personale u bë objekt i një lloj sulmi publik dhe ne në këtë rast dhe raste të tjera patëm rastin t’i qëndrojmë në krah prokurorëve duke ushtruar një kompetencë të qartë që na e ka dhënë Kushtetuta”, u shpreh ai mes të tjerash.

Pjesë nga fjala e Ibrahimit:

Suksesi në luftën kundër krimit është i mundur vetëm nëse prokurorët janë profesionalë, të pavarur dhe me integritet. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është zyra e kuadrit të Prokurorisë.

Është në misionin e Këshillit që vendimet për karrierën e prokurorëve, transferimin e tyre, të jenë vendime që të bazohen në vlerësimin e  meritave profesionale të prokurorëve dhe në rezultatet vlerësimit ët figurës dhe integritetit ët tyre.

Ky set kompetencash që i është besuar Këshillit, që është një organ i zgjedhur në mënyrë ët depolitizuar dhe ka një përbërje nga 6 prokurorë dhe 5 jo prokurorë, që balancon interesat  e prokurove me qytetarët në përgjithësi.

Gjatë 2019 veprimtaria jonë është shënjuar nga themelimi i Prokurorisë Posaçme dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Veprimtari e Këshillit ka qenë edhe më e thellë dhe e gjerë.

Gjatë vitit që shkoi kemi themeluar një sistem të vetingut permanent të prokurorëve. Në saj të kësaj korrespondojmë me rreth 45 institucione, në një përpjekje për të verifikuar figurën e pasurinë  e prokurorëve në faza të ndryshme të karrierës së tyre, në përgjigje të degradimit të standardeve të integritetit dhe profesionalizimit në sistemin e drejtësisë, ne japim drejtësi se dhe kur vetingu të mbarojë, sistemi do të ketë mekanizma të sprovuara për të ndaluar bjerrjen e standardeve të përmendura.

Ky sistem i vetingut permanent do të hedhë gurët e themelit për integritetin në sistemin e Prokurorisë. Gjatë viti që shkoi Këshilli është integruar në rolin e kuadrit ndihmës në procesin e vetingut. Kemi miratuar 44 raporte vlerësimi për prokurorët në kuadër të procesit të vetingut.

Në vitin 2020 do të kryejmë të gjitha procedurat e ngritjes në detyrë të drejtuesve të prokurorisë. Kemi pasur rast të përdorim kompetencat tona në lidhje me mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve, kur ata sipas gjykimit tonë, janë bërë objekt i sulmeve politike, jo politike, kam parasysh rastin e  drejtuesit të prokurorisë së përgjithshme, i cili  për shkak të cilësive personale u bë objekt i një lloj sulmi publik dhe ne në këtë rast dhe raste të tjera patëm rastin t’i qëndrojmë në krah prokurorëve duke ushtruar një kompetencë të qartë që na e ka dhënë Kushtetuta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re