Besimtarët Mysliman festojnë sot Fiter Bajramit.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e faljes së Fiter Bajramit në Sheshi Skënderbej, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, u shpreh ndër të tjera se sot besimtarët i luten Zotit të pranojë agjërimin, sadakanë e fitrit dhe zekatin.

 

“Muaji Ramazan është muaji ku për secilin nga ne u krijuan rrethanat për shpëtim dhe udhëzim në rrugën e vërtetë. Lutemi të kemi dalë nga muaji i Ramazanit me një pastërti dhe ndriçim shpirtëror. Ashtu siç thotë i dërguari i Zotit: Nëse kemi agjëruar me besim dhe bindje te Zoti i gjithëpushtetshëm, Ai na i ka fal mëkatet”, u shpreh ai.

 

Spahiu ka sqaruar se Xhamia e “Namazgjasë” nuk është ende gati për të pritur besimtarët për shkak se nuk kanë përfunduar punimet. Megjithatë ai theksoi se falja e namazit bëhet në shesh prej numrit të lartë të besimtarëve, për të cilët nuk do të kishte kapacitet asnjë xhami.

 

” As Xhamia e Namazgjasë nuk i merr të gjithë besimtarët, ndaj falja bëhet në sheshe. E rëndësishme është që Bajrami është gëzim e hare dhe i bëj thirrje njerëzve që të jemi pranë atyre në nevojë, pranë familjes sonë që të jemi një shoqëri sa më solide”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re