Vdekja tragjike e 4 turistëve rus në Qerret ka shkuar në instancat më të larta ruse. Kreu i Komitetit Hetues të Rusisë Alexander Bastrykin, ka kërkuar informacion të detajuar në lidhje me rastin.

Njoftimi është përcjellë ditën e djeshme në faqen zyrtare të agjencisë, ku ndër të tjera thuhet se “kreu i komitetit hetues instruktoi departamentin e hetimit dhe atë ligjor, që në bashkëpunim e asistencë me Ministrinë e Jashtme Ruse, të marrin informacion nga autoritetet e Shqipërisë…”

Ndërkohë po ditën e djeshme, në median ruse është bërë publik prononcimi i një kolegeje të njërës prej viktimave (60 vjeçarit Sergey Burenkov)

“Sergey ishte një njeri shumë i mirë, nuk i kishte bërë keq askujt. Punonim së bashku. Ajo që ndodhi është shokuese. Ata vdiqën menjëherë, as nuk lëvizën. Të gjithë ishin në vendet e tyre. Jam e sigurt që ata nuk mund të mbyteshin apo të helmoheshin njëkohësisht. Dikush do të lëvizte apo duhej të rrëzohej, por ata qëndronin ulur në vendet e tyre. Nuk ka asnjë gjurmë. Ndoshta rezultatet e vërteta të autopsisë nuk do dalin kurrë në media. Ata nuk patën as kohë për të pirë apo ngrënë gjë. Dhe ata që shkruajnë gjëra pa kuptim, do të doja që të mos ndjenin dhimbjen që kemi ne,” tha gruaja, e identifikuar në median ruse si Anastasia.

Po në median ruse kanë dalë detaje në lidhje me jetën e familjes Burenkova. Ekaterina, vajza e çiftit Burenkova punonte si menaxhere pronash, kurse i shoqi në administratën publike. Në median shqiptare u raportua se 60 vjeçari Sergey Burenkov dikur ka punuar si gjeneral ushtrie.

Kujtojmë se 4 turistët rusë u gjetën të pajetë në ambientet e pishinës së brendshme. Ende nuk ka një publikim zyrtar të autopsisë së viktimave, ndërsa ditën e djeshme prokuroria e regjistroi çështjen si ‘vrasje’.

Lexo edhe: Misteri i 4 turistëve rusë që ndërruan jetë në Qerret, çfarë thonë hetimet deri më tani

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re