Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë sot se marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri nga kryeministri Albin Kurti, ministrat e deputetët e tij në kohën kur nga 80 bashkëqytetarë në javë vdesin nga koronavirusi në Prishtinë dhe kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri dhe papërgjegjësi.

Abdixhiku shkruan në rrjetet sociale se në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.

“Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi.

Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot!

Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.

Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi!”, shkruan Abdixhiku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka bërë fushatë për kandidatët për deputetë që do garojnë për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Kurti, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se ka zhvilluar takim virtual me kandidatë për deputetë nga radhët e partisë së tij, si dhe me komunitetin shqiptar në Itali, duke mos e lënë pa e përmendur diasporën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko