Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Kosovë, është pritur veçmas nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, njofton agjencia e lajmeve Anatolia.

Në një deklaratë të Presidencës së Kosovës thuhet se gjatë takimit me Akar, Osmani ka theksuar se qëllimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe ka kërkuar mbështetjen e Turqisë në këtë proces.

Osmani dhe Akar diskutuan edhe për mundësitë e bashkëpunimit ushtarak dhe mundësinë e prokurimit të pajisjeve ushtarake. Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e edukimit dhe trajnimit të oficerëve, nënoficerëve dhe pilotëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në takimin e saj me Akarin, Osmani ka folur edhe për situatën aktuale politike, “duke theksuar kërcënimet dhe provokimet e vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e rajonit”, thuhet në komunikatën e kabinetit të saj.

Akar është pritur veçmas edhe nga kryeministri i Kosovës Kurti, ndërsa takimi i parë ka qenë me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

Pas bisedimeve me Mehajn, Akar tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë janë shumë të rëndësishme duke pasur parasysh lidhjen historike dhe se çështja e sovranitetit, integritetit dhe paqes në Kosovë është e rëndësishme edhe për Turqinë.

Ministri turk ka theksuar se hapat që po ndërmerr Kosova në rrugën e integrimeve euroatlantike janë të rëndësishme dhe se në këtë drejtim është i rëndësishëm shkëmbimi i përvojës ushtarake dhe trajnimi mes dy vendeve.

Ai po ashtu theksoi se Turqia po e përcjell me vëmendje procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është i një rëndësie të madhe dhe për këtë arsye Turqia e mbështet dialogun për paqe dhe stabilitet në Ballkan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re