Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), paralajmëroi të dielën se pandemia e koronavirusit nuk është pandemia e fundit.

Ai theksoi se shtetet duhet të investojnë në shëndetin publik për t’u përgatitur për krizat e ardhshme shëndetësore.

“Historia na mëson se kjo nuk do të jetë pandemia e fundit dhe epidemitë janë një fakt i jetës,” tha Tedros në një video me rastin e Ditës së parë Ndërkombëtare të Përgatitjes për Epideminë.

Udhëheqësi i OBSH tha se investime më të mëdha në shëndetin publik, me mbështetjen e qeverive dhe shoqërisë, mund të “sigurojnë që fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre të trashëgojnë një botë më të sigurt, më elastike dhe të qëndrueshme”.

Ai shtoi se koronavirusi ka kthyer botën përmbys gjatë vitit të kaluar dhe ka lënë pasoja të mëdha për ekonominë dhe shoqërinë.

Por pandemia në vetvete nuk është për t’u habitur, tha Tedros, duke vënë në dukje se ata kanë paralajmëruar për vite me radhë për një mundësi të tillë dhe papërgatitjen e botës.

“Ne të gjithë duhet të mësojmë një mësim nga pandemia (…) Pandemia ka nxjerrë në pah rëndësinë e lidhjeve të ngushta midis shëndetit njerëzor, botëz shtazore dhe çështjeve planetare, e cila kërkon një qasje të përbashkët,” tha shefi i OBSH.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re