Kreu i Partise së Lirise Ilir Meta shfrytëzoi mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar për t’u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së 12 nëntorit.

 

Sipas Metës çdo qytetar i pakënaqur nga qeveria duhet të dalë në protestë, e së pari duhet të dalin të rinjtë që nuk duan të largohen nga vendi.

 

ILIR META

 

KRYETAR I PARTISE SE LIRISE

 

“Partia e Lirisë fton qytetarët që në 12 nëntor të thonë fjalën e tyre. Të jenë të gjithë së bashku për të dhënë mesazhin se koha e arbitraritetit e nëpërkëmbjes të drejtave të shqiptarëve, ka marrë fund.”

 

Meta doli sërish në mbrojtje të protestës së pedagogëve duke akuzuar qeverinë se e ka lënë arsimin jashtë vëmendjes.

 

“Fakti që pedagogët tanë vazhdojnë dhe denigrohen në mënyrat më të ulta dhe ordinere për disa kërkesa që duhet të ishin plotësuar prej kohësh, tregon se nuk kemi të bëjmë me mungesë mundësish, por kemi të bëjmë me një politikë të vetëdijshme për të nënvlerësuar pedagogët dhe intelektualët.”

 

Partia e Lirisë e cila u krijua një ditë pasi Ilir Meta mbaroi mandatit e presidentit, përmbylli sot procesin e ngritjes së strukturave duke zgjedhur organet drejtues.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re