Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së kreut të ri në 29 korrik është një sfidë më vete.

 

Sipas tij mbetet i rëndësishëm garantimi i një procesi transparent dhe demokratik, ndërsa shton se gara nuk duhet trajtuar si mes “Hanit dhe Bashës”.

 

“Ka një sfidë. A do të bëjmë ne dot një proces transparent, të barabartë? Jo me simptomat që dikur bënte PD? Kjo nuk është garë mes Hanit dhe Bashës. Secili prej tyre ka vlerësuar të kandidojnë. Sfida është për të garantuar nëse procesi është transparent dhe vota të mos manipulohet. Simptomat e dikurshme të proceseve sovjetike në PD ka marrë fund”, tha ai.

 

Ai shton se fati i kësaj force politike nuk duhet të varet nga humori i një individi, ndaj thekson se deputetët duhet të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe të mbajnë “gjallë” PD.

 

“Sot PD e ka këtë koshiencë që duhet një PD e ndryshuar në mentalitet për të parë të gjitha gabimet e të shkuarës. Nëse kemi dëgjuar nuk ka kaluar shumë kohë nga fushata. PD e suksesshëm nuk do të jetë një parti e varur nga shijet dhe humori i një individi. Nuk do të varet se çfarë vlere ka për Gjergj Hanin apo Bashën. PD është një organizatë. Secili nga individët do i nënshtrohen demokratëve që qëndruan në betejë për ta mbajtur gjallë PD. Nuk varet fati i tyre nga ai që do të jetë kryetar i PD.

 

Partia nuk është grupi parlamentar. Sipas statutit, traditës, grupi parlamentar është pjesa më e përzgjedhur e partisë që ka një mision. Deputetët janë shpirta të lirë. Mandati i deputetit është jo detyrues. Kanë të drejtat e tyre të bëjnë zgjedhjen në një proces brenda partiak. Kështu duhet të ndodhë. Punën e numrave e kam diskutuar me kohë dhe vakt. Nuk është çështje numrash por vlerash”, deklaroi ai.

 

Partia Demokratike, pas shumë polemikave, do të mbajë zgjedhjet për kreun e ri më 29 korrik.

 

Deri më tani, vetëm Lulzim Basha ka paraqitur kërkesën e tij zyrtare për të kandiduar, ndërsa data e fundit për të paraqitur kandidaturën është 20 korrik.

 

Rikthimi i Bashës ka rikthyer dhe debate të vjetra mbi lidershipin, duke shoqëruar procesin rimëkëmbës të PD me sfida të reja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re