Kreu i Sindikatës së Futbollistëve, Andi Lila është shprehur për Supersport në Zona Gol se ka në plan të organizojë një Kupë simbolike për të prekurit nga tragjedia e tërmetit.

Lila ka theksuar se nuk mund të qëndrojnë duarkryq, pasi kërkojnë të ndihmojnë lojtarët dhe familjet e tyre që kanë pasur pasoja nga tërmeti.

Mbrojtësi tha se kanë kontaktuar me presidentët e sindikatave në Turqi, Greqi dhe Itali. Ndërsa, për emrat e futbollistëve që do të vijnë, Lila nënvizoi se mund të jenë lojtarë nga Turqia e vitit 2002 e cila e mbylli Kupën e Botës në vendin e tretë, apo lojtarë nga Greqia, kampione Europës në 2004 apo edhe lojtarë nga Italia e vitit 2006.

“Ne personalisht kemi kontaktuar me presidentët e sindikatave në Turqi, Greqi dhe Itali. Do të jenë pikërisht 4 skuadra që do të luajnë dhe lekët e biletave shkojnë për familjet e lojtarëve të prekur nga tërmeti.

Për emrat që do të vijnë po kërkojmë për Turqinë e vitit 2002 që doli e treta në Kupën e Botës, me Greqinë që doli kampion Europë në 2004, por edhe te Italia nga lojtarët e 2006”, u shpreh Lila.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re