Bisedoi: Iliada Kovaçi

Jo pak herë kemi dëgjuar për raste të arrestimit të një mjeku në vendin tonë. Fatkeqësisht këto raste shpesh herë të përsëritura dhe të shtuara në numër gjatë viteve të fundit, po bëhen gjithnjë e më serioze. Por pse nuk po marrin një zgjidhje? Si po ndikojnë këto ngjarje në besueshmërinë e popullit ndaj bluzave të bardha dhe a është pikërisht kjo mënyra e duhur, duke bërë “shembuj” të tillë për të ndikuar në përmirësimin e sektorit të shëndetësisë? Lidhur me këtë situatë shqetësuese dhe me një deklaratë nga Sindikata e Punonjësve të Shërbimi Shëndetësor zgjodhëm të bisedonim me kryetarin e kësaj sindikate, dr. Gentian Stroni.

Doktor kemi parë deklaratën që sindikata ka bërë në rrjetet sociale, do doja të dija sesi po procedohet? Çfarë hapash po ndërmerr sindikata?

Aktualisht ajo çfarë ne po bëjmë në këto momente është një analizë e thellë e ngjarjeve, dhe e shkaktarëve që cojnë situate kaq të shëmtuara, ndërkohë që analizën e kemi drejtuar si një shqetësim drejt tre drejtimeve të ndryshme, konkretisht: së pari drejt strukturave drejtuese të Spitalit të Traumës, pra SUT e dyta është drejtuar Strukturave të Ruajtjes së Rendit Publik dhe e treta është ndaj Ministrisë së Shëndetësisë.

Çfarë ka ndodhur në fakt? Le të flasim pak më gjerësisht për situatën dhe analizën e bërë.

Së pari duhet të themi që ne në mënyrë kategorike nuk mbrojmë aktet korruptive që ndodhin, ne bëjmë analizën se përse këto akte korruptive ndodhin pra normalisht a do duhet që të ndodhte kështu dhe kjo është dhe arsyeja pse ne ia drejtojmë problematikën edhe Ministrisë Së Shëndetësisë,paraprakisht, pasi praktikisht le të kuptojmë cila është ajo arsye pse ndodhin këto akte korruptive në shtet dhe nuk ndodhin në spitalet private.

Në analizën tonë pyesim çfarë ndodh në sistemin shtetëror që nuk ndodh në sistemin privat? dhe pse problemet ndodhin tek mjekët dhe stafi mjekësor shtetëror. Gjykimi është shumë i thjeshtë, pagat nuk janë dinjitoze, që do të thotë sistemi mjekësor shtetëror ka paga diskriminuese, e rrjedhimisht cdo mjek, infermier apo personel është i gatshëm të bieri pre e një akti korruptiv. Problemi do ishte shumë më I madh atherë kur ky akt korruptiv bëhet i kërkuar nga ana e personelit në drejtim të dhënies së një shërbimi, dhe në mënyrë kategorike kjo është e dënueshme Por nga çfarë kemi parë në kohët e fundit gjithmonë e më pak shohim personel të cilët të kërkojnë para për shërbimin që bëjnë , gjithmonë e më pak janë këta njerëz, por tashmë është e kundërta që janë të shumtë ata pacientë që panvarsisht se nuk I kërkohet gjë në këmbim të shërbimit, japin dicka në shenjë mirnjohje. Pra po të analizojmë nuk është mjeku, qoftë edhe në rastin e fundit që kërkon. Ju e dëgjuat në lajme që ishte një i infiltruar që përgjatë gjithë ditës, intimidonte, miklonte doktorin për t’i dhënë para dhe dikur ia fut në xhep. Për këtë duhet që ky doktor të dënohet.

Pra dua të them që, a mund të mos e pranonte? Patjetër që po, por nuk dua të bëj analizën e personit por të aktit. Në atë pozitë mund të ishte kushdo nga stafi mjekësor e në atë lloj mënyre dhe mbase do të bënte të njëjtën gjë ose shumë pak veta do të bënin ndryshe, por për sa kohë ai ka qenë i provokuar për aktin që është bërë sigurisht që mund të bier pre e një provokimi. Rrjedhimisht rikthehemi tek situata që po diskutojmë në aspektin global dhe themi që nëse personeli mjekësor do të kishte paga dinjitoze a do të kishte nevojë që të ndodhte një gjë e tillë? Nuk do kishte nevojë as pacienti apo familjari që të hynte në mardhënie korruptive. Rrjedhimisht që do jepesh ekzaktësisht i njëjti shërbim.

*drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Duke qenë se edhe në normativat e punës, çdo mjek ka një normë limit për të punuar që do të thotë se është e kalkulueshme edhe puna e tij në orë dhe në raste. Nëse ngarkesën e mjekut e tejkalojmë disafish, që do të thotë, (rikthehem te mjeku që është dënuar) gjatë ditës do I duhej të bënte 9 operacione në një kohë që ai maksimalisht duhet të ketë 2-3 operacione, por ai po bën 9 apo edhe më shumë. Pse? Sepse puna dhe ngarkesa në Qëndrën Universitare të Traumës, vecanrisht për anestezist-reanimatorët është shumfishuar duke punuar nga ora 7.30 deri në 18,  duke qenë se nuk funksionon urgjenca kirurgjikale në QSUT dhe rrjedhimisht ka shkuar e gjithë ngarkesa atje, por ata në të njëjtën kohë kanë një ngarkesë edhe të operacioneve të planifikuara edhe operacioneve të traumave që ndodhin gjatë ditës dhe plus këto urgjenca kirurgjikale/abdominale. I njëjti staf duhet të bëjë 3-fishin e punës që bënte më parë. Atëherë, a ka vend këtu për tu riparë dhe vlerësuar nga ku mund të gjenerohen problematika? Sigurisht që bie cilësia, që gjërat bëhen më të vështira dhe rrjedhimisht pacientët do fillojnë të hyjnë në akte korruptive për të lëvizur në rradhët e planifikuara, këtë ne si shqiptarë e bëjmë rëndom me akte korruptive dhe kjo nuk është se ndodh vetëm në mjekësi. Kjo gjë shton presionin ndaj personelit që përbën edhe problematikën e rradhës.

*Drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Krijimi i kushteve ku bluzat e bardha të punojnë të qetë pa u mikluar nga faktorë të ndryshëm ambiental.

A ekziston mundësia që të funksionojë ndryshe situata e orientimit aposqarimit të pacientit drejt për drejt tek mjeku kur është bërë operacion? Sigurisht që do duhet të jepet një informacion por meqenëse kjo ministri ka shtuar në mënyrë ekstravagante stafin administrativ nëpër spitale, po ky staf administrativ ku mes tyre ka psikologë, sociologë e me rradhë, pse mos të angazhohet me sqarimin e familjarëve? Të marri informacione dhe të jetë një staf i ndërmjetëm midis personelit shëndetësor dhe pacientit ose familjarit të pacientit dhe kështu eleminohet hallka e mundësisë së bërjes së një akti korruptiv.

-Trajtimi i kësaj shtrese jo si një shtresë kriminelësh ku herët a vonë gjithësecilit mund ti jepet një goditje për të bërë të tjerët që të kujtojnë se pas rastit të parë rradhën e ka i dyti e me rradhë.

Në çdo moment që diskutohet nëpër medja rasti i një mjeku apo i gjithë mjekësisë, përherë konsiderohen si kontigjent krimi, pra  në çdo media jepet imazhi problematik dhe jo real, ai i shpëtimit të jetëve apo ndihmesës që jepet dhe konsiderohet si një shtresë e cila vetëm duhet të goditet fizikisht apo moralisht. Të gjithë mbarsen me një ide që tashmë këta sollën korrupsionin dhe këta duhet t’i godasim. Pra a nuk është kjo një mendësi negative? Sigurisht që po, Këtë ne ia adresojmë Ministrisë së Shëndetësisë dhe strukturave të tjera për të qenë aleatë dhe solidarë dhe jo dy anë të kundërta në oponencë me njëra-tjetrën.

Kthehemi tani në problematikën që ndodhi ekzaktësisht me këtë rast. Momenti që strukturat e rendit publik marrin përsipër për të bërë një aksion, dhe në mënyrën sesi e bënë. Pra ishte intimidim dhe provokim i mjekut që nga mëngjesi derisa arritën që ta realizonin këtë gjë. Por a do duhet që ndaj këtij mjeku të merret ky lloj reagimi i ashpër, brutal i policies në një kohë kur ne kemi persona që kanë vjedhur shtetin me shifra kolosale, persona që vjedhin pronën publike, persona të cilët TV i jep me zë dhe figurë që janë të paditur dhe abuzojnë me atë çfarë i është dhënë dhe nuk i kemi parë që të trajtohen me aksione brutale të ashpra sic policia bëri me mjekun në fjalë. Problemi qëndron që në procedurën që ata zbatuan kishte shkelje. Parë në aspektin mjekësor le të shqyrtojmë vetëm momentet e veprimit të tyre të cilat ne ua sollëm në vëmendje:

*Strukturave të Ruajtjes së Rendit Publik

-Këto struktura dëmtuan rëndë  imazhin personal të një njeriu por edhe figurën e mjekut në përgjithësi duke I vendosur të gjithë mjekët në urrejtjen e masave, duke vështirësuar maksimalisht jetën dhe punën e  gjithë kësaj armate që lufton në shërbim dhe përmirësimin e kushteve shëndetësore të popullatës.

-Gjatë momentittë veprimit të tyre këto struktura rrezikuan rëndë jetën e pacientit I cili ishte i intubuar në mbikëqyrjen e mjekut të ndaluar.

..Që do të thotë që ky mjek ishte duke bërë një punë dhe për të mirën e pacientit në intubim, por në momentin kur largohet ky mjek, pacienti i intubuar ngeli në mëshirën e fatit, pra e morën mjekun pa e zëvendësuar më parë. Nuk ishte detyra e tyre por minimalisht do duhej që t’i jepnin mundësi që ky të bënte të mundur kalimin e detyrës dikujt tjetër.

Së treti morën këtë mjek me uniformën e punës. Uniforma e punës është jo vetëm e shenjtë por është e strukturës spitalore në të njëjtën kohë, konsiderohet si një uniform që mbart mikroorganizma që nuk ndalen nga jelekët e rëndë antiplumb apo kapucët në kokat e policave, dhe bëhet promotor për kalimin e infeksioneve ose problematikave tek persona të tjerë. Tjetër akt i shkeljes së protokollit:

-Dëmtuan rëndë sterilitetin e ambientit të sallave duke rrezikuar kështu në vazhdimësi pacientët të cilët janë dhe do vazhdojnë të jenë në ato ambiente.

Pra janë futur në ambiente spitalore rreptësisht të ndaluara, ku edhe dikush me bluzë të bardhë, mjek e ka totalisht të ndaluar që të hyj në sallën e operacionit nëse nuk është mjek kirurg apo personel ndihmës në sallë. Ndërkohë që hyjnë 3-4 policë të veshur rëndë, me armatime të rënda në sallën e operacionit. Do të mjaftonte që këtij mjeku t’i bëhej një telefonatë e t’i kërkohej paraqitja në komisariat dhe ai do të paraqitej atje dhe nuk do të ishte fare e nevojshme për gjithë këtë lloj show.

-Ekspozuan aksionin.

Show vazhdon ose procedura e shkelur vazhdon, ku policia praktikisht ka njoftuar gjithë mediat, duke qenë se mediat prisnin të gjitha përpara portës kryesore të spitalit për të bërë lajmin që dicka po ndodhte në brendësi të tij. Duke vendosur këtë mjek në pranga dhe duke e nxjerrë para shtypit e medias është dhe shkelje e të drejtave të njeriut përveç faktit që forcat e ruajtjes së rendit kanë dekonspiruar aksionin e tyre. Këtu duket qartë që e paskan pasur objektivin për të dhënë një mesazh por ky mesazhi ishte i gabuar. Arsyeja ishte sepse në rradhë të parë shkelën të drejtat e njeriut, të drejtat e një mjeku dhe të mjekëvë të tjerë dhe në rradhë të tretë ata duan të tregojnë që e gjithë armata mjekësore është e korruptuar. Pra këto janë shkelje të cilat vijnë hap pas hapi por që strukturat e rendit publik duhet t’i analizojnë dhe të nxjerrin përgjegjësin. Pra nëse nuk del përgjegjësi për këtë punë do të thotë që nuk është bërë asgjë dhe do të ndodhi nesër sërisht, ashtu sikurse ka ndodhur. Sindikata është pikërisht kritike për mënyrën e trajtimit të figurës njerëzore dhe mjekësore edhe nga mediat të cilat arritën të jepnin imazhin më të keq të mundshëm në popullate, pasi bëjnë edhe prezumim i fajësisë

*drejtuar Drejtorisë së SUT.

Për të kaluar pastaj tek strukturat spitalore, sigurisht që të gjithë kolegët e spitalit, mjekë që punonin gjatë asaj dite u ndjenë të tradhëtuar nga struktura drejtuese spitalore. Kjo sepse u vunë në dijeni mediat dhe drejtoria nuk e dinte se në spitalin që ata drejtojnë do të ndodhi një aksion i tillë apo show i tillë. Ne e dimë shumë mirë që çdo media duhet të marri leje në strukturat drejtuese para se sa të bëjë një filmim apo regjistrim në një institucion. Pra bie poshtë fjalëa e thënë “ne ishim të painformuar për këtë gjë”. Është edhe gabim i tyre nëse ishin të painformuar pasi do të thotë që ata lejojnë që brenda strukturave të një spitali të ndodhin këto. Sot ishte policia po nesër mund të jenë forca të panjohura të cilët mund të mos kenë lidhje me ligjin, rrjedhimisht personeli është i pasigurt në vendin e punës.

Raste të dëgjuara këto!

Po, raste të dëgjuara siç ju e thatë, rrëmbime të një personi që ndodhet brenda institucionit, pra a do duhet të mbajë përgjegjësi ky institucion? Sigurisht që po dhe e fundit që do duhej, të merreshin masa, të zëvendësonin doktorin, të mos lejonin shkeljen e sterilitetit të sallës etj, masa që i përmendëm tek strukturat e Ruajtjes së Rendit, në të njëjtën kohë mund të themi që ky institucion është i njollosur po njësoj sikurse personi që ka bërë aktin korruptiv. Që do të thotë që nuk duhet të dali nga përgjegjshmëria, sigurisht që përgjegjësia është individuale po përgjegjshmëria është edhe e institucionit. Ky institucion duhe të marri masa sikurse ia adresuam ministrisë së shëndetësisë. Duhet të marri masa që këto gjëra të mos ndodhin në atë lloj institucioni dhe nëse ndodhin duhet që përgjegjshmëria të dali dhe tek këta dhe të konsiderohet si një problematikë që ka ndodhur vërtetë nga individi por është një individ i inkorporuar në këtë lloj structure që do të thotë njolloset i gjithë spitali dhe jo vetëm një individ.

 

 

 

Të gjithë këtë material ne ia kemi adresuar jo vetëm këtyre tre strukturave por e kemi adresuar edhe tek avokati i popullit, do e adresojmë tek komisioneri për diskriminim sepse e konsiderojmë një akt diskriminues për të drejtat e njeriut pastaj sigurisht se çfarë bën ligji dhe gjykata deri në momentin që gjykata e fajëson ose e nxjerr fajtor një njeri, ai nuk mund të prezumohet si I tillë. Pra le të lemë që gjykata të shprehet.

E theksoj këtë pasi kemi 35 raste në vitet e fundit, të cilët shkojnë drejt gjykatës dhe dalin të pafajshëm. Pra gjykata ose ligji apo strukturat të cilat japin verdiktin u japin të drejtën e rikthimit në punë këtyre mjekëve, i japin pafajësinë pavarësisht se është prezumuar prej ditës së parë fajtor, ndaj kjo mendësi duhet të ndryshojë për sa kohë kemi praktika të tilla që shkojnë drejt pafajësisë?  Ku qëndron ky lloj mesazhi i dhënë ose cili është qëllimi që duan t’i japin këtyre mesazheve? Për të goditur mjekësinë? Cila është? Kjo është pikëpyetja jonë. Për ta mbyllur, ne si Sindikatë dënojmë cdo lloj akti koruptiv të individëve, por jemi kundër përgjithësimit tek të gjithë bluzat e bardha.

 

 

Pyetur dhe mbi gjendjen aktuale shëndetësore të mjekut i cili u arrestua, u mësua se gjendja e tij është stabilizuar. Aktualisht ai është jashtë rrezikut por sidoqoftë vazhdon të jetë i shtruar në Spitalin Neurologjik.

 

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re