Kryetari i SPAK, Arben Kraja ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve për situatën e kriminalitetit dhe goditjen e korrupsionit në vend. Në fjalën e tij, Kraja është ndalur tek personat në hetim, për të cilët tha se në total janë 746, nga të cilët 515 janë hetuar në masë sigurie dhe 213 në gjendje të lirë.

“Nga 746 persona nën hetim, 515 prej tyre janë hetuar me masa sigurimi, ndërsa 231 persona janë hetuar në gjendje të lirë. Nga personat e hetuar me masa sigurimi, 288 prej tyre janë hetuar me masën arrest me burg, nga të 257 janë ekzekutuar ndërsa për 31 persona është vendosur masa e sigurisë arrest në mungesë.  Masa e sigurisë arrest me burg për 198 persona është vendosur për veprat penale që lidhen me krimin e organizuar. Për 28 persona është vendosur për veprën penale që lidhen me korrupsionin ndërsa për 62 persona është vendosur për veprat penale të tjera. Masa e sigurisë arrest në shtëpi është vendosur për 57 persona nën hetim, 154 persona janë hetuar me masë detyrim paraqitje, një person me ndalim i daljes jashtë shtetit, dy me garanci pasurore, dy me shtrim të përkohshëm në spitalin psikiatrik”, tha Kraja.

Më tej ai u ndal edhe tek zyra e përgjimit, për të cilën u shpreh se është funksionale me kapacitet të plotë.

“Dua të parashtroj para jush procedurën që ne kemi ngritur për të realizuar ngritjen e zyrës së përgjimeve pranë SPAK. Në momentin që ne jemi krijuar kontrata ka qenë e lidhur për blerjen e pajisjes nga ministria e Brendshme. Në 2020, u përshtatën edhe ambientet e përshtatshme. Në shtator 2020 erdhi pajisja dhe u montua në zyrat tona. Aktualisht e kemi në gjendje punë zyrën e përgjimeve me kapacitet të plotë”, tha Kraja.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re