Në konferencën e përbashkët të drejtuesve të Reformës në Drejtësi, kreu i SPAK Arben Kraja kërkoi zgjatjen e afateve të mandatit për prokurorët e posaçëm.
Të gjithë prokurorët e zgjedhur të SPAK kanë mandat 9-vjeçar, dhe sipas Krajës kjo vlen të rishikohet, ndërsa kërkoi dhe ambiente shtesë për hetuesit e Byrosë Kombëtare.
Kreu i prokurorisë së posaçme tha se me plotësimin e trupës së prokurorëve, edhe hetimet e SPAK do të jenë më të shpejta dhe rezultative.
Kraja:
Është një periudhë e mjaftueshme që Spak të bëjë një analizë, ka qenë një vit e gjysmë i vështirë, sot me dy emërimet e reja kemi arritur që SPAK të ketë 15 prokurorë, grupi i parë i BKH-së është gati të nisë nga puna, jemi shpresëdhënës dhe në këtë drejtim.
Ka pasur rezultate që me kalimin e kohës janë bërë dhe më konkrete, rezultate e muajve të fundit kanë treguar se struktura po funksionon, ndëshkueshmërinë që lidhet me përfundimin e hetimeve, konfiskimin e pasurive, dhe hapjen e hetimeve për zyrtarë apo jozyrtarë të lidhur me akte korrupsioni.
Dua të theksoj se struktura përditë e më shumë po jep rezultate konkrete, përditë e më shumë SPAK është partner i besueshëm për partnerët, janë rritur numrat e rasteve që referohen nga qytetarët,. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që mes pritshmërive dhe mundësive për ta realizuar ka diferenca, por kjo nuk na pengon që të shkojmë deri në fund të rasteve.
Ka ardhur koha që të themi dy momente që lidhen me punën tonë, e para është ambiente të reja për BKH, që lidhet dhe me numrin e hetuesve, në një afat të shkurtër do jetë e pamundur që ata të zhvillojnë punën në kushte normale.
Momenti i dytë është mandati i kufizuar kohor për prokurorët dhe hetuesit e BKH-së, kjo situatë nuk mund të zgjidhet nga një strukturë që ka afat të kufizuar kohor. Mendoj se zgjatja e afateve kohore duhet të jetë pjesë e diskutimeve, prioriteti ynë është lufta kundër korrupsionit, pastrimit të parave.
(E.K/Faxweb.al)
…
/faxweb
