Gjatë raportimit në Kuvend për punën e SPAK-ut përgjatë vitit 2022, Altin Dumani tha se problematikë për prokurorinë e posaçme mbetet numri i madh i procedimeve të mbartura. Gjatë fjalës së tij, Dumani shtoi se kësaj problematike duhet t’i jepet zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur.

“Problematika më e madhe e SPAK është numri i madh i procedimeve të mbartura dhe ngelet që ky vit, që nga fillimi dhe në 6 muajt në vazhdim, prokurorët të merren me çështjet e mbartura. Duhet patjetër që t’i japim zgjidhje kësaj problematike. Kemi vuajtur mungesën e infrastrukturës.

3, 4 ose më shumë hetues në një zyrë dhe në pamundësi për të ushtruar funksionet e institucioneve. Me vendim të Këshillit të Ministrave, SPAK ka marrë në pronësi një godinë që është pranë godinës dhe përmbush funksionet e SPAK. Kjo mund të quhet problematikë e zgjidhur“, tha ai.

Kryeprokurori kërkoi paga më të larta për ekspertët e provave digjitale.

“Mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka vënë në vështirësi hetimet. Nuk kemi as edhe një të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Statusi financiar jo i kënaqshëm i ekspertëve të provave digjitale. Ne kemi një laborator, kemi rekrutuar 3 ekspertë, por trajtimi i tyre financiar lë për të dëshiruar dhe kemi frikë që mund të na largohen.”, theksoi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re