Drejtuesi i Prokurorisë se Posaçme, Altin Dumani dhe Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës, Stefan Blättler, kanë zhvilluar një takim në Bernë, në datën 18 shtator 2024.

Gjatë këtij takimi të nivelit të lartë, u diskutuan zhvillimet më të fundit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionit.

Të dy drejtuesit e lartë, Dumani dhe Blättler, rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin e shkëlqyer të nisur midis të dy zyrave përkatëse duke u bazuar në të drejtën e brendshme dhe instrumenteve ligjore ndërkombëtare të nënshkruar nga të dy shtetet përkatëse.

Bashkëpunimi ndërkombëtar i këtij lloji është thelbësor për të luftuar në mënyrë efektive të gjitha format e krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkufitar.

Gjatë takimit, Dumani dhe Blättler theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të mira midis të dy institucioneve. Ky bashkëpunim ofron mundësi të shkëlqyera për vendosjen e një komunikimi të vazhdueshëm me qëllim shkëmbimin e përvojave më të mira dhe për krijimin e strategjive dhe njësive të përbashkëta hetimore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të dy vendet.

Dumani dhe Blättler nënvizuan se kjo frymë pozitive bashkëpunimi do të forcojë më tej përpjekjet e përbashkëta për një rend ligjor më të sigurt në të dy vendet dhe në rajon.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re