Qeveria Rajonale e Kurde (KRG) falënderoi Turqinë për reagimin e saj të shpejtë në ndihmë të viktimave të tërmetit në veri të Irakut.
“Falënderime të veçanta për Turqinë, Agjencinë e Menaxhimit të Fatkeqësive të Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe për reagimin e shpejtë dhe mbështetjen e tyre”, ka shkruar në rrjetet sociale zëdhënësi i KRG-së, Safeen Dizayee.
Turqia nisi ndihmat për viktimat e tërmetit me magnitudë 7.3 që tronditi zonën kufitare midis Irakut dhe Iranit ditën e djeshme. Sipas llogarisë në Twitter të Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive të Turqisë, 5 mijë tenda, 7 mijë batanije, 92 persona ndihmë në personel dhe 11 automjete u dërguan në Irakun verior menjëherë pas dridhjes.
Tërmeti në këtë zonë la të vrarë të paktën 328 persona në Iran dhe 7 të tjerë në Irak.Nga ana e tij, Muhammed Nasih Hassan, guvernatori i Darbandikhan-it, rajoni më i prekur në provincën Sulejmanije të Irakut, vlerësoi ndihmën e Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë për viktimat e tërmetit, shkruan aa.
Hassan tha se diga e Darbandikhan-it është dëmtuar seriozisht nga tërmeti. Ai bëri të ditur se dy skuadra të ekspertëve u dërguan në atë digë nga Erbili dhe Bagdadi për të riparuar dëmtimin e saj. “Dëmi i digës paraqet një rrezik të madh për rrethin tonë dhe rajonin, prandaj jemi duke punuar me masa urgjente në zgjidhjen e çështjes”, u shpreh Hassan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re