Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi se pjesë e planit për mbështetjen e fermerëve janë dhe zgjidhja e problematikave të tyre. Krifca mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të skemës së parë të trajnimit në bujqësi për fermerët dhe blegtorët.

 

Gjatë fjalës së saj në këtë event, ministrja e Bujqësisë deklaroi se 1,000 fermerë janë pyetur lidhur me problematikat që hasin në punën e tyre. Sipas asaj, adresimi i këtyre problematikave do të marrë përgjigje në planin që institucioni që ajo drejton ka për ta.

 

“Pikërisht për të adresuar këto nevoja, diskutuam së bashku me partnerin tonë më të rëndësishëm mbi dijen Universitetin Bujqësor të Tiranës, për të ndërtuar Skemën e trajnimit në Bujqësi e cila të mund ti drejtohej si fermerëve ashtu dhe ekstensionistëve të bujqësisë.

 

Vumë në dispozicion të këtij procesi fonde dhe ndërtuam ekipin që përmblidhte ekspertet më të mire në fushat e bujqësisë, zooteknisë, ekonomisë bujqësore, bletarisë, blegtorisë, etj. Ky ekip udhëtoi në të gjithë Shqipërisë dhe pyeti më shumë se 1,000 fermerë dhe ekstensionistë rreth nevojave që kishin në aktivitetin e tyre të përditshëm. Përgjigjet e tyre u bënë plani i këtij programi njohurie për bujqësinë shqiptare”, deklaroi ministrja.

 

Krifca deklaroi se gjatë vitit 2022 janë zhvilluar më shumë se 240 ditë trajnimi për 240 specialistë ekstensionistët dhe rreth një mijë orë trajnimi me 2 mijë fermerët të shpërndarë në të gjithë vendin.

 

“Në të 12 qarqet e vendit, fermerët panë edhe njëherë se ata nuk janë vetëm, por se shqetësimet e tyre gjejnë përgjigje duke angazhuar specialistët më të mirë të bujqësisë. Shifrat e anketimit në fund të trajnimit, por edhe bisedat që kam zhvilluar me specialistët e bujqësisë dhe fermerët tregojnë se kjo skemë ishte e vlefshme për ta (98%). 3 në 4 fermerë shprehen se duan që këto risi ti aplikojnë në territor ndaj për ne është e rëndësishme që të jemi pranë tyre në këtë proces të rëndësishëm”, u shpreh Krifca.

Ministrja theksoi se MBZHR do ta shtrijë këtë program edhe në vitin aktual e atë në vijim duke siguruar që Skema Kombetare e Trajnimit në Bujqësi të çojë dijen më pranë prodhimit dhe fermerit përmes demostrimit të modelit të praktikave më të mirave bujqësore dhe blegtorale dhe krijimin e fermave model.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re