Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi deklaroi gjatë një konference për shtyp se Gjykata Kushtetuese tërësisht funksionale është kusht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënon edhe hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Union.

Gjatë konferencës për shtyp, Várhelyi kërkoi nga pala shqiptare që të punohet në këtë drejtim.

“Kushti që ne kemi në përfundimet e Këshillit që hapin rrugën për negociatat e bën shumë të qartë që duhet një Gjykatë Kushtetuese tërësisht funksionale përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare. Inkurajojmë të dyja palët që të vijojnë punën që Gjykata të bëhet funksionale”- theksoi ai.

Të mërkurën, komisioneri do të jetë vetë në Tiranë, ku pritet të ketë takime me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së Lulzim Basha, e t`i drejtohet dhe Kuvendit. Kjo vizitë e tij vjen vetëm pak ditë pas votimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në parlament, të cilat thelluan përçarjet e u pasuan edhe nga reagime të ambasadorëve të huaj që shprehën keqardhje për mosarritjen e një konsensusi mes palëve.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re