Kryeministri Edi Rama teksa i referohet situatës në veri të Kosovës deklaron se duhet të ndalohet krijimi i një Donbasi të vogël në mes të Evropës.

Në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se duhet nxitur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duke sjellë në një nivel më të lartë në BE me mbështetjen e SHBA.

Sipas tij të gjithë në BE e ‘kuptojnë që është koha për të vepruar dhe për të mos lejuar këtë spirale absurditeti të hedh poshtë çfarë kemi ndërtuar deri tani me ndihmën e BE në rajon’.

Pyetje: Zoti kryeministër Rama ju e patë situatën, e krahasuat situatën në veri të Kosovës si Donbasi në Ukrainë. A e diskutuat këtë me zotin Stoltenberg dhe me koleget e tjerë dhe çfarë mund të shohim si zgjidhje për këtë situatë? 

Edi Rama:  Thjeshtë dhe vetëm për ta bërë të qartë, unë thjeshtë deklarova që perspektiva e krijimit të një Donbasi të vogël në mes të Europës për shkak të një përshkallëzimi është një kërcënim real dhe ne të gjithë duhet të bëjmë atë çfarë duhet të bëjmë për ta parandaluar, duke nxitur nga njëra anë dialogun, duke e sjellë atë në një nivel më të lartë në BE me mbështetjen e SHBA-ve dhe nga ana tjetër duke e bërë të qartë nëpërmjet NATO-s, që KFOR do të jetë aty për të garantuar integritetin e plotë dhe stabilitetin në rast të ndonjë ndërprerje që mund të ndodhë saktësisht për shkak të një përshkallëzimi të papërgjegjshëm. Ky është shqetësimi im, e ndava. Dhe e ndjeva dhe në Bruksel dhe këtu që të gjithë e kuptojnë, që është koha për të vepruar dhe për të mos lejuar këtë spirale absurditeti të hedh poshtë çfarë kemi ndërtuar deri tani me ndihmën e BE në rajon.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re