Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka kthyer përgjigje letrës zyrtare që presidenti i vendit Hashim Thaçi i dërgoi dy ditë më parë.

Në një letër zyrtare të gjatë, me dy faqe, Kurti ‘sqaron’ Thaçin se cili është roli i kreut të shtetit dhe sesi ai nuk duhet të ushtrojë presion në formimin e koalicionit qeverisës por vetëm të presë.

Kurti shkruan se letra e dërguar nga Thaçi dërgonte mesazhin e një ndërhyrjeje dhe paragjykimi në procesin e formimit të institucioneve të Kosovës.

“Mesazhi juaj përbën ndërhyrje dhe paragjykim të procesit të formimit të institucioneve dhe paralajmërim kërcënues. Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit apo dhe garantimit të një shumice parlamentare. Kushtetuta e Republikës sonë nuk i njeh presidentit një rol imponues në formimin e Qeverisë. Ai duhet të jetë i durueshëm dhe të presë,“-shkruan ndër të tjera Kurti.

Më tej, kreu i Vetëvendosjes, gjithashtu ka njoftuar Thaçin se tashmë marrëveshja me tyre LDK për formimin e qeverisë së re ishte në fazën e fundit.

“Ju lusim që të mos bëni vlerësime politike dhe presion përmes paragjykimit të procesit politik të formimit të qeverisë. Ju informoj që ndodhemi në fazën e finalizimit të marrëveshjes më Lidhjen Demokratike të Kosovës,”-e mbyll letrën e tij Kurti.

Dy ditë më parë, presidenti Thaçi i dërgoi një letër zyrtare Albin Kurtit, të cilit i kërkonte që ta njoftonte nëse LVV’-ja do të dorëzonte emrin e të mandatuarit për kryeministër apo nëse do ta refuzonte, në mënyrë që kreu i shtetit më pas të mandatonte dikë tjetër.

Disa javë më parë u themelua dhe legjislatura e 7-të e Kuvendit të Kosovës, por ende nuk është formuar qeveria e re. Negociatat deri më sot kanë dështuar, pasi LDK ka kërkuar që të marrë kreun e Kuvendit, Presidentin dhe pesë ministri, pra gjysmën e kabinetit.

Pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar Kuvendi, LDK u tërhoq nga marrja e këtij posti dhe shprehu gatishmërinë për një marrëveshje të re, duke kërkuar sërish pesë ministri dhe Presidentin. Ndërsa Albin Kurti ka hequr dorë nga ministri i Brendshëm.

Ditët e fundit Kurti ka zhvilluar takime të përditshme me Isa Mustafën, ndërsa zëdhënësit e tyre kanë deklaruar se negociatat po shkojnë mirë dhe se ka lëvizje nga të dyja palët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re