Pas bashkimit të dy grupimeve të opozitës, atij të Rithemelimit dhe grupit të Gazment Bardhit, sot pritet të firmoset marrëveshja me partitë e tjera opozitare për krijimin e Federatës së Opozitës së Bashkuar.

Marrëveshja e sotme parashikon institucionalizimin e Federatës së Opozitës së Bashkuar, sipas parimit “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, ndërtimin e një Shqipërie Europiane”, ku përfshihen të gjithë faktorët politikë parlamentarë dhe relevant opozitar, të cilët marrëdhënien dhe bashkëpunimin opozitar, e cmojnë si detyrim dhe jo marrëveshje që fuqizojnë qeverinë dhe antikushtetutshmërinë.

Opozita e bashkuar rikonfirmon vendosmërinë për t’u përballur, sic thote ajo “me regjimin e korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës, që gjatë qeverisjes së tij ka shndërruar Shqipërinë në vendin e pamundësive për shqiptarët e ndershëm dhe po detyron rininë të braktisë vendin për shkak të pamundësive ekonomike”.

Federata e Opozitës së Bashkuar ka shpallur edhe prioritetet që janë, “garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, përmes realizimit të një Reformë Zgjedhore kuptimplotë dhe për adresimin e të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it, që siguron një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, si dhe nevojën për të koordinuar përpjekjet për rikthimin e pluralizimit dhe demokracisë funksionale”

MARREVESHJA:

Ne, përfaqësuesit e partive opozitare:

Duke vlerësuar me shqetësim situatën e rëndë në Ballkan, interesin tonë si shqiptarë dhe si vend anëtar i NATOs, dhe duke qenë të ndërgjegjshëm që për t`ju përgjigjur sfidave të sigurisë dhe një Shqipërie Europiane, është e nevojshme ruajtja dhe zhvillimi i një partneritet të qëndrueshëm me SHBA, BE dhe  vendet e NATOs;

Duke marrë në konsideratë situatën shumë të rëndë politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri gjatë qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës, si dhe cënimin e rëndë të sistemit tonë kushtetues, pluralizmit politik të një Republike Parlamentare, ku Qeveria kontrollon në mënyrë antidemokratike të gjitha pushtetet;

Duke konstatuar me shumë shqetësim braktisjen masive të vendit nga shqiptarët në tërësi dhe nga profesionistë, të rinj dhe të reja, për shkak të humbjes së shpresës dhe rrëshkitjes së vendit drejt një qeverisje autoritare, të bazuar në korrupsionin, krimin dhe drogën, persekutime, arrestime dhe burgosje politike të liderëve të partive opozitare;

Duke vlerësuar si jetike pjesmarrjen e diasporës në votime dhe angazhimin e tyre politik dhe qeverisës;

Duke mbajtur në konsideratë mosfunksionimin e Parlamentit dhe parlamentarizmit dhe kthimin e tij në apendiks të qeverisë, mohimin e të drejtave kushtetutese të deputetëve të opozitës në Parlament, mosrespektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe shkeljet flagrante të tyre nga qeveria, apo mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për shkak të përdorimit të shtetit për interesa politike, përdorimin e grupeve kriminale për blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve;

Duke qenë të ndërgjegjshëm mbi nevojën për rikthimin e pluralizmit dhe demokracisë funksionale, krijimit të shpresës dhe besimit tek qytetarët, dhe nevojën që opozita të ngrihet në përgjegjësitë e saj, për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e shqiptarëve, përmes një politike që tejkalon debatin rreth liderëve politikë, por që bashkohet rreth ideve me interes kombëtar, mundësimin e Integrimit Europian dhe një demokraci Institucionale;

Deklarojmë sa më poshtë:

Institucionalizimin e Federatës së Opozitës së Bashkuar, sipas parimit “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, ndërtimin e një Shqipërie Europiane”, ku përfshihen të gjithë faktorët politikë parlamentarë dhe relevant opozitar, të cilët marrëdhënien dhe bashkëpunimin opozitar, e cmojnë si detyrim dhe jo marrëveshje që fuqizojnë qeverinë dhe antikushtetutshmërinë.
Rikonfirmojmë vendosmërinë për t’u përballur me regjimin e korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës, që gjatë qeverisjes së tij ka shndërruar Shqipërinë në vendin e pamundësive për shqiptarët e ndershëm dhe po detyron rininë të braktisë vendin për shkak të pamundësive ekonomike.
Shpallim:
i) “garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, përmes realizimit të një Reformë Zgjedhore kuptimplotë dhe për adresimin e të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it, që siguron një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, si dhe
ii) “nevojën për të koordinuar përpjekjet për rikthimin e pluralizimit dhe demokracisë funksionale”, si dy prioritete kryesore të axhendës politike të opozitës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re