Një krim i rëndë dhe i shëmtuar ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Dibër, ku për pasojë një grua ka humbur jetën.

Ngjarja ndodhi në fshatin Burim të Maqellarësh dhe autore e dyshuar e krimit është një 44 vjeçare me inicialet M.M. Gruaja ka patur një debat me vjehrrën 74 vjeçare. Konflikti i çastit ka përshkallëzuar menjëherë. Gruaja ka qëlluar me thikë në pjesën e fytit të moshuarën, e cila ka ndërruar jetë në vend.

Familjarët lajmëruan autoritetet policore, të cilët kanë bërë të mundur sekuestrimin e armës dhe arrestimin e gruas.

“Goditi me mjet prerës ( thikë), vjehrrën e saj duke i shkaktuar vdekjen,  arrestohet në flagrancë nga policia  44 vjeçarja. Nga specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases :  M. M., 44  vjeçe, banuese në fshatin Burrim,  Maqellarë, pasi në orët e mbrëmjes datë 11.04.2021, në banesën e saj dyshohet se për motive të dobëta,  ka goditur me mjet prerës (thikë) vjehrrën e saj, shtetasen  N. M., 74 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë  menjëherë.  Grupi hetimor në vendngjarje ka  sekuestruar në cilësinë e provës materiale  mjetin prerës që dyshohet  se është përdorur nga autorja e ngjarjes. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprën penale “Vrasje për shkak të marrdhënieve familjare”,njoftoi policia.

Kujtojmë se po ditën e djeshme, një 48 vjeçar mbylli të shoqen në makinë dhe më pas i vuri flakën. Gruaja u dogj e gjallë, ndërsa autori i dha fund jetës duke u vetëvarur në një pemë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re