Hetimi për krimet e dyshuara të luftës në Ukrainë do të jetë në krye të agjendës kur ministrat e Drejtësisë nga e gjithë bota të takohen në Britani të Madhe në muajin mars.

Zëvendëskryeministri dhe sekretari britanik i Drejtësisë, Dominic Raab, do të jetë pritësi i këtij takimi në Londër, në Lancaster House, së bashku me homologun e tij holandez.

Grupi do të dëgjojë nga prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), Karim Khan, në lidhje me punën e gjykatës dhe rolin e komunitetit ndërkombëtar për të mbështetur hetimin e këtyre krimeve.

Rusia që nga tetori po kryen sulme me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike të Kievit, duke lënë miliona ukrainas pa furnizim me rrymë.

Në fillim të janarit, gjatë një bisede telefonike kryeministri britanik, Rishi Sunak, i ka thënë presidentit Volodymyr Zelensky se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen afatgjatë të Britanisë.

Më 5 janar Berlini dhe Uashingtoni u zotuan për ndihmë shtesë ushtarake për Kievin – përfshirë makina të blinduara për këmbësorinë, Breadly dhe Marder. Po ashtu, SHBA-ja ka premtuar edhe sisteme të tjera kundërajrore Patriot./R.E.L

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re