Zyra e prokurorit të shtetit në qytetin gjerman perëndimor të Giessen ka ngritur akuza kundër një ish-rojeje 98-vjeçare në kampin e përqendrimit Sachsenhausen, u njoftua të premten.

“I akuzuari akuzohet se si roje në kampin e përqendrimit Sachsenhausen në veri të Berlinit, në periudhën nga korriku 1943 deri në shkurt 1945, ka kryer veprën penale të ndihmës në 3500 raste të vrasjeve”, njoftoi prokuroria publike në Giessen.

Në aktakuzë thuhet se sot 98-vjeçari gjerman “mbështeti vdekjen e tmerrshme dhe tinëzare të mijëra të burgosurve të kampit”.

Nëse do të ketë një gjyq vendoset nga gjykata e të miturve në Hanau, duke pasur parasysh se i dyshuari ishte një “i ri” në kohën kur ndodhën krimet.

Një raport i ekspertit psikiatrik nga tetori i vitit të kaluar arriti në përfundimin se i dyshuari ishte “pjesërisht” kompetent për t’u gjykuar.

Vitin e kaluar, një 101-vjeçar, një ish-gardian në Sachsenhausen, u dënua me pesë vjet burg, por ai vdiq këtë vit para se të vuante dënimin.

Që nga viti 1936, kryesisht kundërshtarët e regjimit nacionalsocialist u burgosën në kampin Sachsenhausen, rreth tridhjetë kilometra në veri të Berlinit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re