Shkruan: Floriar Arapi

Shqipëria u trondit rëndë nga vrasja e vajzës së vogël në Himarë. Prindërit e saj kishin ardhur nga Anglia, duke zgjedhur vendlindjen për pushime. Ata si çdo prind që i premton fëmijëve bregdetin dhe fëmijët që fluturojnë nga gëzimi dhe mezi presin për të shkuar në det. Po për ku po gëzohej të shkonte Jonada e vogël ?

Vrasja e Jonadës në Himarë nuk është as rasti i vetëm dhe as nuk është rast i izoluar, ajo nuk është aksidentale por është pasojë dhe vazhdim i një mentaliteti të tërë që sundon në Shqipëri, i cili është “të shfaqurit”, ose dukja, mburrja përpara njerëzve.

Vetëm para pak ditësh, në një rast tjetër një çift u plagosën rëndë në Jalë, teksa po qëndronin në breg. Po ti numërosh, ka edhe plot raste të tjera.
Aksidente të tilla me pasoje vdekjen apo plagosje te rëndë nuk ndodhin vetëm në det. Ato që ndodhin rregullisht me automjetet në rrugë janë më të shumta, aq sa njerzit janë mësuar me to.

Në një masë dërrmuese, pas këtyre aksidenteve qëndrojnë, të njëjtat kategori njerzish; trafikantët, të fortët, pjella e korrupsionit dhe haramit (fëmijët e politikanëve apo funksionarëve të lartë të shtetit), të rinj të llastuar nga paratë e baballarëve biznesmenë, të droguar dhe të dehur.

Një nga arsyet kryesore pse ndodhin këto krime, është të shfaqurit përpara njerëzve. Ata kanë një dëshirë të parezistueshme, për tu dukur dhe për të bërë show.
Arsyeja pse ata afrohen afër bregut kur bëjnë manovra të tilla të rrezikshme, është që të dallohen, që njerzit të shohin kush është ai që ecën me të tillë shpejtësi.
Arsyeja tjetër është që të bëjnë video dhe ta hedhim në instagram, facebook etj dhe ndjekesit e tyre ti shikojnë.
Nëse hap profilet e tyre në instagram apo facebook etj, ke plot shfaqje të tilla në det apo ecje me mbi 200 km/ore me makina në rrugë, xhirime gomash, ngritje me një rrot të motorrit etj.

Por si duhet të zgjidhet ?
Fenomeni i të shfaqurit është sjellje dhe ves njerzor, i cili përfshin shumë njerëz. Në aspektin individual besimi, familja dhe vlerat morale janë ata që e luftojnë këtë ves. I derguari i Zotit, Muhamedi a.s. ka renditur disa kategori njerzish të cilët do të hidhen të parët në zjarrin e xhehenemit dhe ndër to ka thënë :
dijetarët të cilët dijen e tyre e kanë nxënë, për tu dukur përpara njerëzve sesa të ditur janë bamirësit, të cilët kanë dhënë shumë nga pasuria e tyre, por e kanë dhënë atë për tu dukur përpara njerëzve sesa bamirës dhe njerëz të mirë janë.
Zoti do t’u thotë atyre, “ Nuk keni asnjë shpëblim tek unë.” Pastaj ata do të tërhiqen me fytyrën zvarrë dhe do të hidhen në xhehenem.
Ne këtë thënie të dërguarit të Zotit, tregohet se edhe veprat më të mira, (por të pasinqerta), siç janë nxënia e dijes apo bamirësia, shkatërrohen nga të shfaqurit.

Por lufta më e madhe ndaj këtij fenomeni, patjetër që është në aspektin shoqëror dhe ajo është ligji dhe zbatimi i ligjit. Në lidhje me këto fenomene duhen ligje të ashpra dhe të zbatuara me rigorozitet. Në një masë të konsiderueshme, dihet që ligjet janë, por edhe bërja e ligjeve të posaçme nuk përbën ndonjë vështirësi, mirëpo problemi qëndron tek zbatimi, sikurse zbatimi i ligjit dhe drejtësia janë problem për shumë aspekte tek ne.

Njerzit që kryejnë këto veprime janë njerëz të paprekshëm nga ligji dhe me lidhje të forta me pushtetin. Ata ose janë pjesë e pushtetit, ose janë trafikant që blejnë pushtetarët apo drejtësinë, ose biznesmenë që veprojnë po njësoj. Në rastin e Jonadës, personi që kreu këtë makabritet ishte mishërim i të gjitha këtyre. Edhe pjesë e pushtetit duke qenë oficer policie, edhe trafikant, duke qenë i arrestuar (dhe më pas i liruar) për trafik droge, por edhe biznesmen (skafesh) kuptohet që paratë trafikut të drogës do ti investoj diku.

A është rast i izoluar, që me një funksionar shtetëror apo oficer policie (si në rastin në fjalë), të bashkohen të gjitha këto, trafikant, biznesmen, arrogant etj ?
Jo. Ne e dimë shumë mirë se një polic apo nje zyrtar e ka rrogën, nga 50 mijë deri 100 mijë lekë, por megjithë këto rroga të ulta lakmia për këto vende pune është shumë e madhe. Shumë prej tyre arrijnë të blejnë disa shtëpi apo prona, jetojnë jetë lluksi dhe lëvizin me makina lluksi, ndërkohë që me ato rroga vetëm mund të jetohet me një jetë të thjeshtë.
Po të shohësh zyrat e shtetit dhe sidomos ato të policisë, janë të mbushura me njerëz që sillen me një arrogancë dhe histeri të jashtëzakonshme ndaj njerëzve të thjeshtë dhe në të njëjtën kohë sillen me një dashamirësi të dukshme apo përultësi ndaj trafikantëve, të fortëve dhe njerëzve të pasur, sikur të jenë vartësit e tyre.

Në raste të tjera, fëmijët dhe familjarët e trafikantëve dhe kriminelëve, janë nga drejtorë dhe zyrtar shtetëror deri në deputet. Kurse vetë trafikantët konvertohen në biznesmenë, duke prishur konkurencën e ndershme të biznesit me paratë e tyre të ndyra.

Në rangjet më të larta të qeverisjes ndodh e njëjta, ministrat dhe deputetët është bërë normale të kenë vëllezër apo kushërinj trafikant, ose të kenë miqësi me të fortë dhe kriminelë. Kryeministri në çdo situatë të disfavorshme ndaj tij përgjigjet me batuta, humor pa kripë karagjozash apo me arrogancën e një rrugaçi tipik. Mund të themi me bindje se po qeverisemi apo bashkëqeverisemi nga rrugeçër të cilët nga paprekshmëria janë bërë euforik dhe u shtohet arroganca dita-ditës. Të tillët, edhe pas krimit që kryejnë nuk kërkojnë falje, por gjejnë justifikime dhe kërcënojnë familjarët, për shkak se arroganca e tyre nuk i lejon të bëhen human dhe të përgjegjshëm.

Njerzit e ndershëm në administratë gjenden në një pozitë tejet të vështirë, pasi në shumë raste drejtohen nga të tillët. Në një eksperiencë personale, një zonjë (zyrtare shteti) kërkonte një kamera trupi që të regjistronte urdhërin me gojë të shefit të saj që e urdhëronte të firmoste rregullisht afera korruptive. Ajo e trembur kërkonte kamer që nëse do të hetoj, të paktën të vërtetonte se nuk ka marrë pjesë tek ndarja e parave.
Kjo është Shqipëria ku jetojmë. Këta janë ata që na qeverisin dhe vrasin shpresën e shqiptarëve.

Jonada tashmë iku, e vogël dhe e pastër pa asnjë mëkat dhe ne shpresojmë që ajo të rritet në kopshtet e xhenetit, por kriminelët tek ne do të vazhdojnë krimet e radhës, në det apo me makina në tokë, megjithë masat që mbase mund të duken të ashpra provizorisht, ndërsa qeveritarët do vazhdojnë që kanë bërë, paprekshmërinë e kriminelëve dhe vrasjen e shpresës së shqiptarëve.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re