Krimi kibernetik është në trend rritës.

 

Këtë fakt e ka bërë të ditur Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, i cili pretendon se kjo gjë është normale për shkak të digjitalizimit.

 

“Në fakt, krimi kibernetik është në trend rritës dhe është normale sepse gjithmonë e më shumë një pjesë e jetës që bëjnë qytetarët zhvillohet në forma digjitale, kështu që të gjithë janë më të aksesueshëm dhe mund të goditen. Por ajo që ne kemi bërë të paktën është se jemi fokusuar sidomos te specializimi i prokurorëve në fushën e krimeve kibernetike. Por ama ky është vetëm një aspekt sepse thelbësore është se ne duhet të kemi sektorë të specializuar në Policinë e Shtetit për krimin kibernetik dhe rritja e tyre profesionale është shumë e rëndësishme. Prokuroria nuk e ka mundësinë për një sektor të tillë për shkak të natyrës se si funksionon”, u shpreh ai gjatë raportit vjetor në Komisionin e Ligjeve.

 

Çela theksoi se rezultatet e autoriteteve në luftën kundër krimit kibernetik nuk kanë qenë të larta, pasi është natyrë e re krimi.

 

“Nëse do t’u referohemi shifrave, kemi një efektivitet relativisht të ulët dhe kjo vjen si pasojë e faktorëve të ndryshëm se është një natyrë krimi e re. Ende sot institucionet e specializuara ligjzbatuese janë eficiente, por kjo nuk ndodh vetëm këtu, ndodh në të gjithë botën”, theksoi Prokurori i Përgjithshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re