Jo vetëm ndërkombëtarët, FMN, BB apo biznese janë kundër amnistisë. Janë të shumë ata ekspertë të fushës ligjore dhe ekonomike që e shohin me shqetësim këtë draft. Besnik Muçi, ish-prokuror dhe ish-anëtar i Komitetit “Moneyval”, në një intërvistë për “E-ZONE” thotë se krimet financiare janë më të vështirat për t’u zbardhur.

“Jo vetëm tek ne, por në të gjithë botën krimet financiare janë të më të vështirat për t’u zbardhur. Ato nuk kanë një vendngjarje, duhet të ndjekësh në mënyrë rigoroze rrugën e parave, që shpeshherë është sfiduese për insitucione më të konsoliduara. Imagjinoni administratën tonë taimore apo strukturat e tjera. A do të jenë në gjendje ato të verifikojnë burimin e të ardhurave të një individi jashtë vëndit? Mundësitë janë thuajse zero. Imagjinoni tani me amnistinë fiskale”, u shpreh Muçi.

Ish-prokurori thotë se qeveria me këtë nismë po del në kundërshtim me normat dhe ligjet e Bashkimit Evropian ku po tenton të anëtarësohet.

Sipas tij, kjo nuk është një amnisti fiskale, por penale ndaj dhe shihet me shqetësim pasi veprat penale duhet të ndëshkohen dhe jo të amnistohen. Muçi vijon më tej kur thotë se nësë amnistia miratohet, vendi do të kthehet në një lavatriçe të pastrimit të parave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re