TIRANË- Hetuesit dhe policia flasin për një krim horror në Shkodër, ku mbeti e vrarë 59-vjeçarja Suzana Shemini. Edhe pse të mësuar me skena krimi të llojeve të ndryshme, ka qenë e vështirë për hetuesit të mblidhnin provat nga vendi i ngjarjes pas pamjeve tmerruese.

Sipas tyre, 69-vjeçari kishte kryer një masakër tek partnerja me të cilin bashkëjetonte prej 6 muajsh. Ai e ka goditur në kokë viktimën duke i shembur pjesën më të madhe me një mjet të fortë që përdoret nga hekur thyesit. Suzana Shemini ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Viktima, Suzana Shemini

E sinjalizuar në mënyrë operative, efektivë të policisë së Shkodrës menjëherë kanë shkuar në vendngjarje duke konstatuar masakrën e bërë. Pas krimit të rëndë autori Bashkim Teli e la trupin e pajetë të bashkëjetueses në banesë dhe nxitoi të arratiset.

Por pak minuta pasi doli nga pallati, 69-vjeçari u arrestua nga policia diku pranë banesës. Ai nuk ka bërë rezistencë ndërsa policia i ka vënë prangat dhe e ka dërguar në komisariat.

Mësohet se në dëshminë e tij në polici Teli ka treguar qetësi teksa ka rrëfyer se e goditi bashkëjetuesen me mjetin e fortë pas një debati të çastit. Teli dhe Shemuni kishin pasur martesa të mëparshme dhe prej 6 muajsh provuan një bashkëjetesë, e cila u kthye në një tragjedi për 59-vjeçaren.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re